Mehmet Shehu ndodhej në dhomën e punës, në fund të gushtit, kur i biri Skënder iu përgjigj kërkesës së tij të vazhdueshme për një nuse me frazën e thjeshtë: donte një vajzë. I mesmi mes tre djemve, pika e tij e dobët siç dëshmojnë shumë vetë, student në Suedi, ai nuk po zgjidhte ende të fejohej duke u shndërruar në një problem për të atin. Tani dukej se e kishte bërë zgjedhjen. Vajza ishte një volejbolliste 20-vjeçare e “Dinamos” së Tiranës, ekipit kampion të Shqipërisë, në zë për hiret e saj. Quhej Silva Turdiu, e bija e Qazim Turdiut, një profesori të Universitetit të Tiuranës, diplomuar në Francë dhe me emër të nderuar në mjediset akademike të Shqipërisë. Pinjolle e një familjeje tiranase, ajo kishte mjaft llogari të hapura me regjimin komunist, siç ndodhte me shumë familje tradicionale të kryeqytetit që nuk e kishin dashur komunizmin. Një prej të afërmve të nënës së saj ishte një ish-i dënuar politik, i arratisur nga Shqipëria në fillim të viteve ’50 dhe i vendosur që atëherë në ...