Skip to main content

Blendi Fevziu ""Enver Hoxha" - Kreu XXII - Renia e nje Kryeministri"



Mehmet Shehu ndodhej në dhomën e punës, në fund të gushtit, kur i biri Skënder iu përgjigj kërkesës së tij të vazhdueshme për një nuse me frazën e thjeshtë: donte një vajzë. I mesmi mes tre djemve, pika e tij e dobët siç dëshmojnë shumë vetë, student në Suedi, ai nuk po zgjidhte ende të fejohej duke u shndërruar në një problem për të atin. Tani dukej se e kishte bërë zgjedhjen. Vajza ishte një volejbolliste 20-vjeçare e “Dinamos” së Tiranës, ekipit kampion të Shqipërisë, në zë për hiret e saj. Quhej Silva Turdiu, e bija e Qazim Turdiut, një profesori të Universitetit të Tiuranës, diplomuar në Francë dhe me emër të nderuar në mjediset akademike të Shqipërisë. Pinjolle e një familjeje tiranase, ajo kishte mjaft llogari të hapura me regjimin komunist, siç ndodhte me shumë familje tradicionale të kryeqytetit që nuk e kishin dashur komunizmin. Një prej të afërmve të nënës së saj ishte një ish-i dënuar politik, i arratisur nga Shqipëria në fillim të viteve ’50 dhe i vendosur që atëherë në Nju Jork të ShBA, Arshi Pipa. Ndryshe nga të arratisur të tjerë, Pipa ishte treguar aktiv në denoncimin e regjimit komunist të Tiranës në Perëndim. Merrte pjesë në konferenca kundër regjimeve komuniste dhe fliste dendur në radiot perëndimore që dëgjoheshin edhe në Shqipëri, si “Radio Europa e Lirë” dhe “Voice of America”. Profesor në Universitetin e Nju Jorkut, ai kishte shkruar edhe shumë artikuj anglisht për komunizmin në Shqipëri madje edhe libra.

Ndryshe nga herët e tjera, Mehmet Shehu nuk e refuzoi djalin në çast. U trondit nga njoftimi që djali i dha për biografinë e vajzës, por nuk u tërhoq: “Ku ke vajtur dhe je ngatërruar”, i tha i menduar! Të njëjtën gjë i kishte thënë djalit të saj, disa orë më parë edhe e ëma, Fiqirete Shehu: “Bobo, me cilët qenke ngatërruar!” (1)
Mehmet Shehu nuk dha përgjigje atë ditë. Të nesërmen në mëngjes ai i kërkoi ministrit të Punëve të Brendshme Feçor Shehu një informacion të detajuar për familjen e vajzës, përfshi edhe sjelljen morale të kësaj të fundit. Përgjigja mbërriti po atë mbasdite. Ministri përsëriste ato që vetë djali i kishte thënë të atit. Detaje që i ati i vajzës Qazim Turdiu ia kishte shkruar me dorën e vet në një letër që i kishte dhënë djalit të kryeministrit dhe që do t’i thoshte edhe atij ballë për ballë një ditë më pas. Ministri i Punëve të Brendshme shtonte se sjellja e vajzës nuk kishte probleme, se ajo luante në ekipin e “Dinamos” dhe në atë kombëtar të Shqipërisë në volejboll. Ajo ishte pranuar në ekip me rekomandimin e atij vetë dhe ishte mjaft e lakmuar nga djemtë e Bllokut, përfshi djalin e Kadri Hazbiut. Për herë të parë në jetë Shehu nuk shkoi të pyeste Hoxhën. “Ç’do të bëje ti në këtë rast?”, pyeti ministrin e Punëve të Brendshme. “Do të vija të të pyesja ty”, iu përgjigj ai në anën tjetër të telefonit.
Mehmet Shehu e mori vetë vendimin. Në Autokritikën e tij në Byronë Politike ai përligjet së nuk e pyeti Hoxhën ngase nuk deshi ta shqetësonte meqë ndodhej për pushime në vilën e tij në Pogradec. Sipas kujtimeve të të birit, i ngutur për t’i krijuar djalit të mesëm një familje, Mehmet Shehu kryeministër prej 27 vitesh i Shqipërisë vendosi që fejesa të kryhej po atë javë. Disa muaj më parë Skënder Shehu, i dashuruar me Silva Turdiun, kishte refuzuar të fejohej me një mbesë të Nexhmijë Hoxhës, gruas së Enver Hoxhës. Por tani kjo ishte larg, Mehmet Shehu e mori vendimin. Babai i vajzës Qazim Turdiu mbërriti në shtëpinë e Kryeministrit dhe fejesa u zyrtarizua ditën e fundit të gushtit.
Asnjëherë nuk është kuptuar se përse, në të vërtetë, Shehu nuk e pyeti Hoxhën për këtë fejesë. Përse vallë ai tregoi një ngut të tillë duke vendosur ta bënte realitet një fejesë të tillë? Një fejesë që, në kushte të tjera dhe për njerëz të tjerë, padyshim ai do ta godiste rëndë. Duket se dobësia e prindit, që e kishte shtypur dhe frenuar shpesh, tashmë kishte zotëruar mbi bindjet e tij.
Të parët që mbërritën për urim në familjen Shehu qenë Nexhmije dhe Enver Hoxha. Siç e dëshmon vetë Hoxha në ditarin e tij, në shënimin e datës 3 shtator 1981, e enjte:
Vamë uruam Mehmetin dhe Fiqireten për Nelin që u fejua”. (2)
Bashkim Shehu, djali i vogël i kryeministrit, që ndodhej i pranishëm, e kujton me detaje atë bisedë që e riprodhoi 12 vjet më pas në librin e tij “Vjeshta e ankthit”:
“-E njoh babanë tënd, profesor Turdiun, - i tha Enver Hoxha Silvës me një të folur të ngadalshme e me zë të thellë. - Kam shumë respekt për profesor Turdiun. M’i bëj të fala. Jam shumë i gëzuar që Mehmeti e bëri këtë fejesë.
-Edhe unë e njoh shumë mirë nënën tënde, - i tha Nexhmija. - Kemi qenë shoqe shkolle në kohën e luftës. I bëj shumë të fala nga unë!” (3)
E ulur mes tyre, në kulmin e moshës dhe të bukurisë, Silva Turdiu po bëhej pretekst i një gjahu të frikshëm. Ajo po shndërrohej në fillesën e njërit prej krimeve më të bujshme të regjimit komunist, të një krimi brenda familjes dhe njëherësh të eliminimit të një kryeministri.
Kryeministri u detyrua ta prishte fejesën vetëm 8 ditë më pas me ngulmimin e Enver Hoxhës. Dy krerët që drejtonin Shqipërinë, numri një dhe dy i regjimit, “udhëheqësi” dhe pasardhësi, u takuan për plot 3 orë në shtëpinë e Hoxhës, në studion e tij. Biseda mes tyre vjen e copëtuar, herë përmes kujtimeve të djalit të Shehut, herë përmes kujtimeve të gruas së Hoxhës. Por një prej punonjësve të shërbimit të Hoxhës, i ndodhur atë ditë në rezidencë, dëshmon se motra e pamartuar e Enverit, Sanoja, u kishte deklaruar disave prej tyre që ndodheshin në një nga dhomat ndihmëse atë ditë:
“Si të mos mërzitet Enveri, kur ia kanë më hile edhe shokët më të ngushtë të zemrës së tij!”(4)
Deklarata e motrës së Hoxhës, vetëm pak kohë pas bisedës 3-orëshe mes dy njerëzve më të fuqishëm të Shqipërisë, reflekton diçka konkrete: faktin që Hoxha e kishte perceptuar fejesën e diskutuar si një sfidë ose, më saktë, si një pabesi.
Isuf Kalo, mjek i familjes Hoxha, tregon se menjëherë pas kthimit nga vizita në familjen Shehu, më 3 shtator 1981, një i afërm i gjendur në shtëpinë e tyre i foli Nexhmije Hoxhës për zhurmën që fejesa kishte shkaktuar në qytet. Kur kjo grua, krushkë e familjes, kishte sqaruar se e gjitha kjo vinte nga biografia e vajzës, Nexhmije Hoxha pati kryer vetëm një veprim: kishte thirrur me ngut Sulo Gradecin dhe i kishte kërkuar të dhëna të plota për Silva Turdiun. Urdhri ishte i prerë: informatat duheshin që atë mbrëmje. Sulo Gradeci ia vuri ato mbi tryezë, bashkë me njoftimin se kishte marrë po ato të dhëna të servirura nga ministri i Punëve të Brendshme, që i kishte pasur në dorë para fejesës edhe Mehmet Shehu.
Enver Hoxha duhet të ketë mbetur tejmase i befasuar nga shënimet e ministrit të Punëve të Brendshme dhe njëherësh nga veprimi i Shehut. Me gjasë, ai është orvatur të kuptojë atë që po ndodhte. Nuk dihet sesa i sinqertë është Ditari personal i Enver Hoxhës për këto ditë, por ai hedh dritë disi mbi shkallëzimin e mërisë së Hoxhës ndaj Shehut dhe rolin që kanë luajtur drejtuesit e tjerë komunistë në të:
“E martë, 8 shtator 1981.
Bisedova me shokun Ramiz. Ai e dinte fejesën e djalit të Mehmetit me çupën e Turdiut dhe më tregoi mbi përbërjen me plot armiq të familjeve Turdiu dhe të Pipajve.”
E premte, 11 shtator 1981.
Thirra Mehmetin nga Korça që ta pyesja për fejesën e djalit të tij me vajzën e një familjeje me plot kriminelë lufte, të pushkatuar e të arratisur. Kjo çështje zien në të gjithë Tiranën, por unë e mora vesh indirekt. Mehmeti e kishte bërë këtë fejesë me plot dijeni. Ky është një gabim i rëndë politik nga ana e tij. Biseda me të është në dorëshkrim në kasafortën time.
E shtunë, 12 shtator 1981.
Bisedë më Mehmetin për problemin e koklavitur të djalit të tij, Skënderit. Biseda me të, është në dorëshkrim në kasafortën time.
Thirra Sekretarët e KQ, shokët Ramiz, Hekuran e Simon, për t’ua bërë të ditur gabimin e madh politik të shokut Mehmet, fejesën e djalit të tij me një vajzë të Turdive dhe për t’u marrë mendim për këtë gjë. Simoni nuk ishte, Hekurani e dënoi ashpër këtë veprim, Ramizi po ashtu [...] Thirra Kadriun dhe e pyeta nëse dinte gjë për veprimin e Mehmetit. Më tha se e kishte mësuar dhe shtoi se kishte për të treguar shumë gjëra edhe për djalin tjetër të Mehmetit, Bashkimin, i cili, bashkë me gruan e tij, nuk është në rregull. Njerëzit, më tha ai, flasin keq për ta.
E diel, 13 shtator 1981.
Bisedë më Mehmetin dhe Fiqireten për çështjen e djalit. Asistonte edhe Nexhmija. Biseda me ta është në dorëshkrim në kasafortën time.
E enjte, 24 shtator 1981.
Bisedova me Mehmetin mbi disa qëndrime jo të mira në publik të djalit të tij, Bashkimit dhe të së shoqes, Marjetës. Erdhi m’i raportoi këto të dhëna ministri i brendshëm Feçor Shehu. Mehmeti, sigurisht u trondit, se po i ndodhin ngjarje të rënda në familje dhe më tha se do marrë masa”. (5)
Por përse Shehu iu bind Hoxhës për ta prishur fejesën me aq nxitim? Është e vështirë të thuhet. Dy burrat e morën në varr sekretin e bisedës së tyre 3-orëshe atë mbasdite të datës 11 shtator 1981. Regjistrimi i saj, që Hoxha shënon se ndodhej në kasafortën e tij, nuk është gjendur në AQSh, as në fondin e Hoxhës dhe as në atë të Mehmet Shehut. Me gjasë ajo ndodhet në materialet që Nexhmije Hoxha mori nga kasaforta pas vdekjes së tij. Por as zonja Hoxha nuk e ka publikuar kurrë këtë bisedë: bisedë që me siguri është kyçi që shpjegon eliminimin e Mehmet Shehut dhe ngritjen e Ramiz Alisë.
Por një fakt i ri mund të japë më shumë shpjegime për shqetësimin e Mehmet Shehut dhe një drejtim të bisedës me Enver Hoxhën atë ditë. I pyetur nga dy djemtë e tjerë se përse prishja e fejesës po bëhej tani, kur problemet biografike diheshin më parë dhe madje i dinte edhe Enver Hoxha, Mehmet Shehu iu përgjigj si në faj: “Doli edhe kjo puna e Arshi Pipës! Nuk ishte tamam siç e dinim...”.
Por çfarë nuk dinte Mehmet Shehu për Arshi Pipën dhe ç‘kish dalë pas kësaj? Një dokument që, me gjasë, përbën thelbin e paranojës së Enver Hoxhës dhe fundin e Mehmet Shehut. Në vitin 1973, kur Enver Hoxha dergjej i sëmurë me zemër pas atakut që kish kaluar, Arshi Pipa botoi në Nju Jork një biografi satirike në vargje të Hoxhës, ku i linte shumë vend “homoseksualizmit” të tij. Një pjesë të këtij argumentimi ai e ka përmbledhur më vonë në dy vargjet e famshme që i drejtoheshin Hoxhës:
“O bandill, të lumtë bitha,
Ajo i shpjegon të gjitha...”. (6)
Nuk ka dyshim që fleta volante e shpërndarë kudo në emigracionin shqiptar kishte mbërriti në Drejtorinë e Sigurimit që merrej me kundërspiunazhin. Me gjasë, Hoxhës së sëmurë nuk kanë guxuar t’ia japin atë. Ose, edhe nëse e ka marrë, nuk i ka dhënë rëndësi. Por në datën 3 shtator të vitit 1981, në mbrëmjen e vizitës së urimit të Enver Hoxhës te Mehmet Shehu, dosja e Arshi Pipës është tërhequr nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme “me porosi të udhëheqësit kryesor”, një shprehje që përdorej nga Sigurimi i Shtetit për t’iu referuar pikërisht Enver Hoxhës. Një analizë e këtillë mund të nxjerrë te thelbi i mërisë së shtuar që Hoxha ndërtoi kundër zëvendësit të tij.
Atëherë do të bëhej i kuptueshëm shpërthimi i Hoxhës: nëpërmjet një fejese të tillë problematike, jo vetëm jashtë normave të kohës, por edhe të kryer pa e pyetur aspak “udhëheqësin”, madje duke u lidhur me një familje “armiqsh” të pafalshëm për sulmet personale kundër vetë Hoxhës, Shehu po dëshmonte sheshazi ende në gjallje të Hoxhës një autonomi që mund të merrte përmasa më kërcënuese kur të bëhej numri një i Shqipërisë. Nëse fejesa ishte apo jo shkaku real i eliminimit të Shehut, kjo nuk mund të thuhet. Por, në të gjitha rastet, ajo shërbeu për të ushqyer tek “udhëheqësi” idenë fikse se Mehmet Shehu nuk po dëshmonte më besnikëri. Në një situatë të tillë konflikti i Nexhmije Hoxhës me Fiqirete Shehun, që shumë vetë në Bllok e dëshmojnë, madje edhe konfliktet tekanjoze mes grupeve të shoqërimit të Shehut dhe të Hoxhës, që pa dyshim i qenë raportuar këtij të fundit, kanë luajtur rolin e tyre. Ato kanë ndikuar në forcimin e bindjes se Shehu po ngutej të bëhej numri një ose, më së paku, po sillej si numri një ende në gjallje të Hoxhës.
Në fund të shtatorit të vitit 1981 Enver Hoxha i kërkoi mjekut personal, Isuf Kalos, që të qëndronte ende pak minuta me të pas vizitës rutinë të mëngjesit. Nuk ishte një bisedë, por një komunikim i prerë:
“- ...Nëse ke diçka për të biseduar ose kërkuar për shëndetin tim, mund t’i drejtohesh Ramizit! E qartë, kuptove?”
 Mjeku afërmendsh  që iu përgjigj pa ngurrim:
“-Si urdhëroni, ju kuptova”. (7)
Deri atëherë, qysh pas vdekjes së Hysni Kapos, për çdo problem që lidhej me shëndetin e Hoxhës ai i drejtohej, veç Nexhmije Hoxhës, edhe Mehmet Shehut. Tashmë Mehmet Shehu “nuk ishte më” dhe Hoxha ia kishte besuar shëndetin e tij Ramiz Alisë. E dëshmon këtë edhe vetë ky i fundit kur përmend Isuf Kalon në librin “Enveri Ynë”.
Mjeku që e njihte Bllokun e kuptoi mesazhin: që nga ai moment Mehmet Shehu nuk ishte më pasardhësi dhe eliminimi i tij ishte vendosur: një eliminim që filloi ngadalë, por i pandalshëm, ndërsa ky i fundit, për fatin e tij të keq, dukej se nuk e kuptoi dot kurrë. Njeriu që kishte qenë dëshmitar dhe protagonist në eliminimin e shumë shokëve të tjerë, atëherë kur duhej, nuk e kuptoi dot që i kishte ardhur radha?! Ka gjasë që sistemi ishte ndërtuar i tillë që, edhe pse ky e dinte, nuk mund ta ndalte, sikurse mendon edhe Bashkim Shehu në librin e tij:
“Rënia e Mehmet Shehut për 3 muaj e gjysmë, që nga fillimi i shtatorit gjer në 18 dhjetor 1981, ishte e pandalshme. Të paktën Mehmet Shehu vetë nuk bëri asgjë për ta ndalur këtë rënie. Nëse bëri diçka ajo ishte pikërisht e kundërta e asaj që duhej të bënte: vetëfajësimi, vetëqortimi i vazhdueshëm, dorëzimi i plotë i vetvetes ndaj vullnetit të shokut të tij dhe torturuesit dhe vrasësit të tij, Enver Hoxhës”. (8)
Rrënimi i Shehut në ato muaj vjeshte të vitit 1981 është një shpërfytyrim i vërtetë. Ndërsa “loja” e Hoxhës me të diabolike. Në fund të shtatorit kryeministri ndjeu për herë të parë se vartësit, deri atë ditë tejet të bindur e të përulur, filluan të bëhen tekanjozë, shpesh rebelë. Prania e tij në disa veprimtari publike, si në Konferencën e Partisë së Korçës, u censurua në Televizorin shtetëror, ndërsa Hoxha thuajse nuk e kishte kontaktuar për ditë me radhë.
Më 16 tetor 1981, me rastin e ditëlindjes së Hoxhës, Mehmet Shehut iu tha se Fiqiretja, ndryshe nga herët e tjera, nuk kishte përse të vinte për vizitë me Byronë Politike, por me shokët e KQ të PPSh. Kur vetë Shehu u gjet në shkallët e shtëpisë së Hoxhës vuri re se e veja e Hysni Kapos ishte thirrur të shkonte për vizitë bashkë me Byronë, sipas një rituali të pandryshuar prej dekadash. Por shqetësimin e parë ai e kaloi nga pritja e Hoxhës. Një kronikë televizive e kësaj ditëlindjeje, e pa bërë publike në atë kohë, hedh dritë për atë që ka ndodhur aty. Hoxha është tejet dashamirës me Shehun: e përqafon, e ul në një kanape krah tij, i thotë shpesh “shoku im i betejave” dhe, mbi të gjitha, kur ky i fundit e uron: “T’i rrosh Partisë”, ia kthen:
“-Bashkë, Mehmet i dashur. Edhe ti! Dhe kujdes shëndetin. Se nuk jemi më të rinj, i duhesh Partisë për tani dhe më vonë”. (9)
Shehu u ndie i çliruar atë ditë, por e parë 30 vjet më pas kronika ndryn brenda saj pamje të frikshme. Ndër njerëzit që vijnë për ta uruar dhe që Hoxha i përqafon fort janë edhe 12 vetë që brenda disa muajsh, deri një vit më vonë, do të ndëshkoheshin rëndë: 4 prej tyre do të pushkatohen, njëri do të vrasë veten dhe 7 do të ndëshkohen me burgime të gjata. Për shumë prej tyre ky ishte takimi i fundit me “udhëheqësin”: ai ka dalë t’i përcjellë te deri te dera me një buzëqeshje të lehtë dhe me shumë fjalë mallëngjyese krejt si në një “takim të fundit”. (10)
Kronika nuk u transmetua kurrë për një arsye të thjeshtë: kur ajo u montua dhe u bë gati nga kinostudio, Mehmet Shehu kishte vrarë veten dhe shumë të tjerë po dënoheshin. Hoxha nuk mund të dilte në publik duke përqafuar njerëzit që vetëm pak javë më pas qenë bërë viktimat e tij.
Dëshmia e djalit të kryeministrit, të mbijetuar nga historia tragjike, është tronditëse. Mehmet Shehu po mënjanohej, po i lihej të kuptonte se dënimi i tij ishte vendosur. Njëkohësisht ngjitja e Ramiz Alisë, njeriut që ai nuk e përfillte si rival, ishte e dukshme. Hoxha i shmangte takimet me Shehun, ndërsa shfaqej gjithnjë më dendur nëpër rrugët e Bllokut dhe të Vlorës me Ramiz Alinë. Në këtë atmosferë pritje dhe ankthi Hoxha kreu edhe një nga gjestet që vlejnë për të analizuar psikopatologjinë e tij: ndërsa Mehmet Shehu ndihej i izoluar; ndërsa në organizatën bazë i kërkohej thellimi i autokritikës, ndërsa vartësit dëftonin hapur përçmim ndaj tij, Hoxha thërret në zyrë djalin e madh të Mehmet Shehut, Vladimirin. Për rreth dy orë ai i foli për kontributet e Shehut në Luftë dhe në ndërtimin e socializmit, duke i kërkuar djalit që t’i rrinte pranë të atit dhe ta ndihmonte, ngase lodhej dhe tani mosha bënte punën e vet. E dëshmon edhe vetë në shënimin që ka lënë po atë ditë në Ditarin e tij:
E premte, 25 shtator 1981.
Thirra djalin e Mehmetit, Vladimirin dhe i thashë se banimi me familjen e vet, në një apartament më vete, është normal dhe këtu nuk ka asnjë gabim, por, duke parë sensibilitetin e Mehmetit dhe situatat e rënda që u krijuan në familjen tuaj, hëpërhë mos u largo nga Mehmeti, se si ju edhe ne duhet ta ndihmojmë babën ta kalojë këtë situatë. Ishte dakord djali dhe do t’ia thotë të atit që nuk do të largohet veç...”. (10)
Kthimi në shtëpi dhe riprodhimi i bisedës ngjalli hare në familjen Shehu, ndërsa ishte vetëm një nga lojërat që diktatori luante me viktimën e ardhshme. Burime pranë familjes Hoxha tregojnë se ai e bëri këtë lëvizje i shtyrë nga fjalët se djali i madh ishte në konflikt me Fiqireten dhe, për këtë arsye, kishte ikur të jetonte bashkë me gruan në Durrës. Hoxha po rrekej të përçante familjen  dhe njëkohësisht t’i krijonte Mehmet Shehut bindjen se e kishte mërinë vetëm me pjesën problematike të familjes së tij dhe jo me të gjithën atë.
Degradimi i Mehmet Shehut qe i ngadalshëm jo ngase Hoxha ishte në dyshim për të, por prej  frikës që ndiente nga pushteti që Kryeministri kishte grumbulluar për vite me radhë. Që nga takimi i tyre 3-orësh në shtëpinë e Hoxhës në asnjë rast ky nuk qëndroi më i lirshëm në takimet me Shehun. Siguria e tij u shumëfishua. Takimet e tjera bëheshin në zyrë. Ndërkaq Hoxha filloi të shfaqte shqetësime shëndetësore. Mjekët e tij kujtojnë se kishte probleme të vazhdueshme, që i vinin nga stresi dhe tensioni.
Në Kongresin VIII të PPSh ngrica mes dy njerëzve kryesorë të regjimit u bë publike. Hoxha thirri për më 17 dhjetor një mbledhje të Byrosë për të gjykuar Mehmet Shehun. Mbrëmjen e 16 dhjetorit Mehmet Shehu u orvat më kot të lidhej në telefon me Hoxhën. Donte t’i rimerrte shefit dhe mikut të vjetër premtimin se ai do ta ndihmonte për ta kapërcyer “gabimin” dhe se marrëdhëniet mes tyre, pas kritikave në Byro, do të ktheheshin si më parë. Por Hoxha refuzoi ta priste. Në anën tjetër iu përgjigjën se Hoxha ishte i lodhur dhe ata mund të lidheshin përsëri të nesërmen në mëngjes.
Në të vërtetë, Enver Hoxha nuk ishte në shtëpi atë natë. Mbrëmjen e 16 dhjetorit të vitit 1981 shumica e anëtarëve të Byrosë Politike u ftuan në një takim informal në Pallatin e Brigadave. Ky fakt u bë publik vetëm 29 vjet më pas, në vjeshtën e vitit 2010, si pasojë e një shënimi mbajtur nga Sigurimi i Shtetit, ku shënohej vendosja e masave më të mëdha të sigurisë në ish-Pallatin e vjetër të Mbretit. Ka gjasë që njeriu që u ka telefonuar gjithë anëtarëve të Byrosë njëri pas tjetrit të ketë qenë ai që do të bëhej pasardhësi i Hoxhës, Ramiz Alia. Ndër anëtarët e Byrosë mungonte vetëm njëri: Mehmet Shehu, kryeministri që do të gjykohej të nesërmen.
Regjistrimi zanor i mbledhjes së 17 dhjetorit të 1981-it është gjetur dhe ritransmetuar 29 vjet më pas. Një procesverbal, që qarkulloi në vitet e komunizmit dhe u botua më 1992, rezulton i redaktuar ndjeshëm, i zhveshur nga e shumta e akuzave dhe gjuha e ashpër ndaj Kryeministrit. Sulmet ndaj Shehut janë të egra. Ato vijnë më së shumti nga persona pa ndikim, që vetë Kryeministri nuk i kishte përfillur kurrë, nga figura minore, pa kontribute, që Hoxha i kishte ngjitur lart në Kongresin VIII. Në mbrëmje vonë, përpara fjalës së Hoxhës, mbledhja u shty për të nesërmen. Mes Shehut dhe Hoxhës u shkëmbyen vetëm pak fjalë, ndërsa ky i fundit, ndryshe nga zakonisht, u largua në drejtim të shtëpisë i shoqëruar vetëm nga Ramiz Alia. “Thellohu në kritikat e shokëve”, i tha me ton të ashpër dhe jonormal për marrëdhëniet mes tyre.
Ishte fjala e fundit mes dy njerëzve që kishin pasur raportin më të gjatë dhe më të fortë të regjimit komunist që prej vitit 1944. 27 vjet kryeministër i Shqipërisë, Mehmet Shehu vrau veten atë natë në dhomën e tij. Mbi komodinë iu gjet një letër që fillon me këtë shënim përsipër:
“Ta hapi personalisht vetëm sh. Enver Hoxha e kërkush tjetër”. (11)

Letra, mjaft e ngjashme me atë të Xoxes dhe shumë të dënuarve të tjerë, mbeti mister për më shumë se 22 vjet. Për të u fol shumë. Ajo u komentua me aq sa mbahej mend nga leximi që i ishte bërë në mbledhjen e Byrosë dhe të Komitetit  Qendror të nesërmen e natës që Shehu vrau veten. E vetmja gjë që dihej ishte fakti se letra qe mbushur me akuza për Ramiz Alinë dhe Kadri Hazbiun, por teksti i plotë mendohej i humbur. Ai u gjet në ish-Arkivin e KQ të PPSh dhe u publikua në media në vitin 2003. Teksti i saj, i lexuar 30 vjet më pas, të beson për një njeri që ka vendosur të ikë me dorën e vet nga kjo botë:
“Shoku Enver,
në librin “Kur lindi Partia”, në pjesën e shkruar me dorën tënde, ndër të tjera, më shkruaje: “Ti, i dashur Mehmet ke qenë dhe je një nga udhëheqësit e lavdishëm të Partisë, kurdoherë në ballë të çdo lufte, në çdo moment i gatshëm, i papërkulur e parimor për të mbrojtur popullin, Atdheun socialist, Partinë që na rilindi e na kaliti si udhëheqës revolucionarë, luftëtarë të papërkulur për komunizmin, shërbëtorë të devotshëm për popullin, për luftën e madhe që ti ke bërë e po bën si bir dhe si ushtar besnik i tyre, Partia dhe populli do të jenë mirënjohës. Unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve të përqafoj. Enver 11 qershor 1981”.
Por unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve, gabova politikisht dhe ideologjikisht kohët e fundit, duke pranuar fejesën e djalit tim, Skënderit, me vajzën e Qazim Turdiut, fejesë të cilën, me ndërhyrjen tënde të drejtë, unë e prisha. Arsyet pse e bëra unë këtë gabim politik i shpjegova në autokritikën që bëra. Asaj autokritike të datës 12 nëntor, prej 39 faqesh, nuk i heq “asnjë presje”, sepse është autokritikë e sinqertë, absolutisht e sinqertë. Kjo autokritikë, në mbledhjen e Byrosë Politikë të datës 17 nëntor, u hodh poshtë nga gjithë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike dhe, më në fund, ju e quajtët atë “alibi”, duke kërkuar që unë sonte të reflektoja dhe të pranoja të gjitha kritikat që m’u bënë në Byronë Politike dhe për të rrëzuar krejtësisht autokritikën time, që ju e quajtët “alibi”, domethënë gënjeshtër, mashtrim.
Në një shënim që më dërgove në 28 tetor 1981, në lidhje me projekt-autokritikën time që ta kisha dërguar, më thoshe që t’u bëja analizë elementëve negativë në karakterin tim, se aty do të gjeja edhe arsyen e vërtetë të gabimeve. Dhe i quajte “...disa elementë negativë të karakterit (tim), që shfaqen shpeshherë në punën shumë të frytshme që bëj për interesin e Partisë, që ti (unë) e do (dua) dhe lë jetën për të”. Po, shoku Enver, unë gjithmonë kam qenë i gatshëm për të lënë jetën për Partinë. Dhe pikërisht këtë po e bëj tash: po lë jetën për Partinë, për të të dhënë rastin e vetëm që më mbeti, ty, shokut, mësuesit dhe vëllait tim të dashur, unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve, siç më ke quajtur me të drejtë, që të mësosh të vërtetën.
Unë po lë jetën për Partinë pa hezitim dhe gjakftohtësi, se s’më latë rrugë tjetër për të mbrojtur Partinë. Nga kush? Nga Jagua-gjarpër dhe Hrushovët që arritën, për fat të keq të Partisë, të të rrethonin, të manovronin për të të shkëputur përgjithmonë nga shoku yt i halleve dhe i fitoreve. Cilët janë këta (Jagua dhe Hrushovi shqiptar), të takon ty t’i gjesh, ata dihen, njihen.
Unë nuk heq “asnjë presje” nga gjithçka kam shkruar e thënë për ty si shok, si mësuesi im marksist-leninist dhe si vëlla. Por tash, që po ndahemi fizikisht, të them atë që nuk mund të ta thosha gjer sot, sepse kurrë s’më krijove kushtet të të thosha të vërtetën për ta. Unë nuk po vras veten, por më vrau Jagua intrigant, këlyshi i Koçi Xoxes e nxënës i tij, që me intrigat e tij të pështira, duke hyrë në aleancë tradhtie me Hrushovin që ju e konsideroni “të sinqertë”, të dy së bashku e me fijet e tyre do t’i bëjnë varrin Shqipërisë socialiste; atë që s’e bëri dot tradhtari Beqir Balluku e banda e tij, do ta bëjë nesër Hrushovi ynë, i cili, siç e kam dëgjuar me veshët e mi, por që kurrë nuk kam mundur të ta them se, ndërsa për gjithçka më kishe krijuar kushtet për të biseduar, për këta dy (Jagon-gjarpër, intrigant e karrierist dhe Hrushovin e ri), - pra siç e kam dëgjuar me vesh tha, kur u prishëm me Moskën: “Pse vetëm ne qenkemi të vetmit marksistë-leninistë?” Domethënë s’ishte dakord që u ndamë me revizionistët hrushovianë. Ju mos besoni këtë që po ju them, po të doni, kjo është puna juaj, por unë, duke mos pasur mundësi tjetër të zbuloj këtë komplot Jago-Hrushov, po veproj siç veprova. Këta sot hiqen si komunistë “të kulluar”, por nesër nuk do të jeni ju, Hrushovi do të kthehet nga Moska hrushoviane... Jo, shoku Enver, unë gabova për arsyet që thashë në autokritikë, unë kam edhe të meta në punë, por që të kem punuar për “dualizëm”(me ju!), për të vënë veten mbi Partinë etj., akuza të kësaj natyre që m’u bënë, këtë kurrë nuk e kam bërë, kjo ishte një akuzë e përbindshme që unë kurrë nuk e pranoj. Dhe autokritika ime nuk ishte alibi, por e sinqertë. Unë kam punuar gjithë jetën për Partinë, për popullin, kurrë nuk kam luftuar e punuar për “karrige”, për “nam”, për t’u quajtur “strateg”, për të dalë përpara Enver Hoxhës (dualizëm), për privilegje personale. Akuza më e rëndë që m’u bë nga Jagua e nga Hrushovi e nga të tjerë nën ndikimin e tyre ishte se unë gabimin e kam bërë “për të vënë veten time mbi Partinë”, se unë kultivoj “unin” për t’u dukur, domethënë kundër Partisë. Kaq shpejt u harruan luftërat që bashkë kemi bërë kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm? Ju, personalisht, nuk më quajtët armik, por Jagua, Hrushovi e edhe të tjerë, duke më akuzuar se e vë veten mbi Partinë, praktikisht më kanë akuzuar armik.
E jo, shoku Enver, unë nuk jam armik, armiku është Jagua. A e mbani mend kur bisedonim një herë për fejesën e Skënderit në shtëpinë tënde, ku kisha ardhur të qanim hallin e atij gabimi politik që bëra unë, e të shoh se armiku gjithmonë është përpjekur për të futur pykat midis në të dyve, domethënë për të përcaktuar udhëheqjen, e të përmenda Koçi Xoxen, Liri Belishovën e Çu En Lain? Ata s’mundën t’ia arrinin dot qëllimit. Edhe Beqir Balluku bëri të njëjtën orvatje, por s’ia doli dot në krye komplotit. Këtë herë ia doli në krye Jagua. Ju mund të ma quani si të doni, e keni vetë në dorë! Por unë po vdes për Partinë, për të të thënë amanetin e fundit: Ruaje Partinë dhe socializmin nga Jagua dhe Hrushovi se, ndryshe, pas teje këtu do sundojnë hrushovjanët dhe socializmi do të marrë fund. Po e dekonsiderove këtë që po them për Jagon dhe Hrushovin tonë, aherë unë s’të kam faj, i dashur Enver, aherë e gjithë përgjegjësia do të bjerë mbi ty. Unë e bëra detyrën time me të vetmen mënyrë, me të cilën m’u dha mundësia - vetëvrasja.
Edhe një herë: Amanet Partinë nga Jagua e Hrushovi! Partia jonë ka kuadro plot besnikë plot të tjerë.
Rroftë Partia jonë e lavdishme, me vijën e saj kurdoherë të drejtë, marksiste-leniniste! Rrofshi ju, të paktën sa të siguroni Partinë e socializmit nga Jagua dhe Hrushovi, dy komplotistët e sotshëm më të rrezikshëm dhe shumë e shumë vjet të tjera!
Poshtë imperializmi, me imperializmin amerikan në krye! Poshtë revizionizmi, me social-imperializmin (dhe atë kinezë) në krye! Rroftë komunizmi! Poshtë reaksioni!
Amanet familjen time - Fiqireten, djemtë (përfshi dhe Skënderin dhe Bashkimin), fëmijët e nuset e djemve! Po të shihni se është interesi i Partisë, thoni se “Mehmeti vdiq aksidentalisht, duke manipuluar armët!” ose si të doni. Edhe armik po më quajtët, kam besim se asgjë s’mbetet pa u zbuluar nga koha, e vërteta s’vdes kurrë.
Po vdes i pafajshëm, më vrau Jagua i Shqipërisë!
Mehmet Shehu
17 dhjetor 1981”. (12)

Fjalët e fundit të Shehut, veç adhurimit për Hoxhën, kishin brenda kërkesën dhe amanetin për t’u kujdesur, si shoku dhe miku më i afërt, për familjen e tij. Amaneti nuk u mbajt kurrë. Familja e Shehut u internua. Gruaja dhe dy nga djemtë u arrestuan dhe u dërguan në burg. Tjetri, i madhi, vrau veten në rrymë elektrike, ose e vranë. Në përgjigje të amanetit të Mehmet Shehut, më 23 dhjetor 1981, me një letër shumë sekrete të përgatitur vetëm me një ekzemplar, kryetari i Komisionit të Internimeve Manush Myftiu dhe ministri i Punëve të Brendshme Feçor Shehu urdhëronin internimin e familjes Shehu në Belsh të Elbasanit. Internimi ishte për një periudhë 5-vjeçare, me mundësi përsëritjeje, pa të drejtë largimi nga zona dhe me detyrim paraqitjeje 2 herë në ditë në zyrën e apelit, si dhe me punë të detyruar në bujqësi.
Por letra e internimit duket krejt normale, madje thjesht një procedurë, përpara një tjetër letre të zbuluar vetëm tani vonë. Është letra me pyetjet e hetuesisë së Fiqirete Shehut, që Enver Hoxha i shkruante vetë, me shkrim dore dhe ua dërgonte oficerëve të hetuesisë. Ishte ai dhe vetëm ai që, nga Pogradeci, drejtonte hetimin e saj. E bënte këtë me qetësinë më të madhe, edhe pse për shumë vite me radhë ajo dhe i shoqi kishin qenë njerëzit më të afërt të tij. Madje shkonte aq thellë sa seancat e pyetjeve dhe torturave ndaj Fiqirete Shehut filmoheshin dhe në mbrëmje Enveri dhe Nexhmije Hoxha i shihnin ato në video, siç dëshmon në një intervistë tronditëse të vitit 2007 nusja e djalit të vogël të Enverit, Liljana Hoxha:
“Ditën që është gjykuar familja Shehu, ne ishim në Pogradec. Qëlloi që të gjithë, djemtë dhe nuset, ikën në Tiranë, me qëllim që të ndjekin nga afër gjyqin. Unë gjëra të tilla nuk i duroja dot. Domethënë isha me Enver Hoxhën, por nuk isha për të vrarë, nuk duroja dot të vriteshin njerëzit. Pra zemra nuk më bënte që ta shihja atë gjyq. E mbetur vetëm pasdite vajta që të takoj Enver Hoxhën, të cilin e desha dhe e vlerësoja shumë. Duke kaluar nga dera prapa për t’u futur në sallon, shoh në vendin ku rrinte gjithmonë Nexhmije Hoxhën. Pa dyshim që ishte edhe Enver Hoxha këtej nga oxhaku, por nuk dukej. Do të gënjeja të thoja që nuk ishte, por me sy nuk e pashë. Në monitor pashë një figurë që unë e njihja. Ishte Fiqirete Shehu që po fliste. Unë nuk e prisja dhe nuk durova dot, u tmerrova. U ktheva pas murit dhe u trondita shumë. Pra, po shihnin gjyqin e saj. Kam qarë shumë. Në darkë, ai më kërkonte, unë i mbajta mëri se nuk mund të mos i mbaja. Kur më pyeti përse kisha qarë, i thashë që më ka lënë Sokoli vetëm dhe ishte shprehur që “nuk marr qerren me vete””.  (13)

Liljana Hoxha është personazhi i vetëm që ka hedhur një fije drite mbi situatën në familjen Hoxha në ditët dhe javët e eliminimit të Mehmet Shehut dhe të familjes së tij. Në rrëfimin e saj 29 vjet pas kësaj ngjarjeje ajo dëshmon:
“Unë vdekjen e Mehmet Shehut e mbaj mend shumë mirë, se ishte vdekja e tij. Se nuk hahej shumë ajo vetëvrasja. Mua nuk më bindte, por e pashë që nuk bëri përshtypje në familjen tonë. Përkundrazi, Nexhmije Hoxha shkoi në zyrë, e la Enverin vetëm, kurse Iliri me Pranverën dhe me bashkëshortet, që nuk shkelnin kurrë në apartamentin tim, atë ditë kanë hyrë të më japin sihariqin që Mehmet Shehu vrau veten. Absurde, me buzëqeshje në gojë. Kurse Enver Hoxha nuk e ka ngritur një vit kokën dhe nuk ka parë njeri në sy për një vit rresht...”. (14)

Askush nuk di të thotë se si një grua si Nexhmije Hoxha mund të shihte torturat që bëheshin mbi një shoqe të vjetër dhe se si Enver Hoxha mund të këqyrte fotot e vdekjes së djalit të madh të Mehmet Shehut, që ai e kishte mbajtur në prehër si fëmijë, foto që ia kishte kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme për t’i parë me sytë e tij dhe që, më pas, kishte urdhëruar të dërgoheshin në Arkiv.
Më 1992 Fatos Lubonja sapo kishte dalë nga burgu, pas 17 vitesh dënim: kishte hyrë në vitin 1974, përpara të atit, që po ashtu e kishte ndjekur në burg. Lubonja i kishte lënë vajzat foshnja dhe i kishte gjetur thuajse 20-vjeçare. Anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit për të drejtat e njeriut, ai kishte shkuar të shihte kushtet në burgun e Tiranës, kur në një qeli qe përballur me Nexhmije Hoxhën. Ajo ishte arrestuar në dhjetor të vitit 1991 dhe priste të dilte në gjyq. Nga biseda e tyre e gjatë, ai kujton ende se si e pyeti Nexhmije Hoxhën:
“-Mirë me kundërshtarët politikë, mirë me shokët tuaj, por me fëmijët e tyre që i kishit rritur vetë, ç’e kishin gjithë këtë mllef?”
dhe se si Nexhmije Hoxha iu përgjigj:
“-Nuk e kam ditur që ti ke qenë në burg”. (15)
Përtej fjalëve cinike të Nexhmije Hoxhës, dhe sot 20 vjet më pas një përgjigje mungon ende.

Comments

Popular posts from this blog

Irfan Makki "I Believe" [Download] full new R&B Islamic album

Irfan Makki "I Belive" 2011 full album Nasheed artist and songwriter Irfan Makki’s songs offer up vibrant imagery with the innocence of a child-like observer and the wisdom of an elderly man, blended with world beat percussion, South Asian rhythms and a distinctive urban R&B vocal style. A sensitive songwriter with a humble stage presence, Irfan has performed all over the UK, US, and Canada, sharing the stage with such artists and friends such as Dawud Wharnsby Ali, Zain Bikha, 786, and the US based hip hop group Native Deen. Born in Pakistan and migrating to Canada with his family as an infant, singer/songwriter Irfan Makki grew up within a community celebrating the diversity of cultures. Enchanted by dreams of utilizing his own voice in recitation and song, Irfan began to hone his own natural vocal talents. Throughout his teen years he immersed himself in the development of his unique musical style. The blessing of growing up against the multicultural city-scape of T...

Nga Bashkim Shehu: Leter nga ferri per Nexhmije Hoxhen

Leter nga ferri per Nexhmije Hoxhen Nga Bashkim Shehu Merr: Nexhmije Hoxha, Pularia e Laprakes Tirana, ALBANIA Zonje, Meqe nuk kam rruge tjeter per te sqaruar disa ceshtje me ju, po ju dergoj kete leter nepermjet gazetes "Korrieri". Si ndonja 2 vjet te shkuara, ju jam lutur, po nepermjet "Korrieri", qe te vertetoni se me cilat sherbime agjenturore ka qene i lidhur im ate, Mehmet Shehu, qe te mund te kerkoja pastaj prej shteteve perkatese pension si familje deshmori. Prandaj dhe e prita me interes botimin e kujtimeve tuaja ne faqet e gazetes me te madhe te Shqiperise, mirepo mbeta i zhgenjyer, duke pare se ishin nje perifrazim i zgjeruar apo konspektim talmudik i nje kapitulli te nje libri te burrit tuaj, botuar ketu e njezeteca vjet me pare.

Kreshnik Osmani: Plumbat e Sarajevës dhe pranvera arabo-amerikane

Nga: Kreshnik Osmani Me shumë interes dhe shqetësim dëgjova lajmin e atyre “pak” plumbave që vërshuan mbi muret e ambasadës amerikane në Sarajevë dhe prej tytës së një arme ballkanike me motive lindore u përpoqa të vjel lajme, prognoza e analiza psiko-sociale që dilnin të mbështjella plot afsh bashkë me tymin e së njëjtës tytë. Teksa i hedh një vështrim të ftohtë lajmit - për të qenë sa më realist - konstatoj me keqardhje se kjo histori është diçka më e thellë sesa çmenduria e pakontrolluar e një individi të dëshpëruar apo ekstremist. Rrufeshëm transportova vetveten për në Tiranë mbi “trenin” e ngarkuar rrëmujshëm me mendimet e mia të fundjavës dhe në përpjekje për të sistemuar të njëjtën rrëmujë u ula të hedh disa rreshta në kartë.  Nuk kam dëshirë ta mohoj se i shoqëruar prej imagjinatës time jo tërësisht të shfrenuar “u hodha në sulm” nëpërmjet perceptimit tim modest dhe tentova të fantazoj tekstin e kabllogrameve të rradhës prej selive diplomatike të Washingtonit në Ballkan, ...