Skip to main content

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe qëndrimi i Greqisë


Kur Ismail Qemali u nis nga Stambolli për në Bukuresht, Lufta e Parë Ballkanike kishte hyrë në fazën e fundit. Ushtria osmane e thyer po mundohej më kot t‘i bënte ballë sulmit të ushtrive ballkanike. Parimi i ruajtjes së status-kuosë, i pranuar nga Fuqitë e Mëdha pa plasur mirë lufta, ishte tashmë një kartë e djegur.

Qëllimet “parimore” të fillimit të luftës nga Aleatët Ballkanikë, ia kishin lënë vendin kontradiktave mes tyre në lidhje me ndarjen e trashëgimisë osmane. Ecuria e luftës dhe përparimi i ushtrive ballkanike në viset shqiptare, jo vetëm shqetësoi, por edhe ndërgjegjësoi më shumë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Kishte ardhur koha për veprime konkrete dhe të shpejta, në mënyrë që Shqipëria të kishte të ardhme politike, në të kundërt, gjasat ishin që ajo të copëtohej mes shteteve fituese ballkanike.

Merita e Ismail Qemalit dhe e mbështetësve të tij qëndronte pikërisht në vlerësimin e drejtë të një situate të tillë, vlerësim që solli më pas reagimin në kohën dhe vendin e duhur për shpalljen e pavarësisë. Po pse Ismail Qemali shkoi nga Stambolli në Bukuresht?

Përveç arsyes që lidhet me mbështetjen që ai, me të drejtë, mendonte
se do të gjente te shqiptarët e kolonisë së Bukureshtit, mendoj se ka edhe një arsye të dytë. Ajo mendoj se lidhet direkt me planin që Ismail Qemali pretendonte të realizonte. Lufta Ballkanike sigurisht që do të sillte një ripërcaktim të kufijve në Ballkan. Sipas tij, zgjerimi i frontit sllav ishte evident. Në një situatë të tillë, Rumania, Shqipëria dhe Greqia duhej të ishin pjesë e frontit të dytë në Ballkan. Kështu, së afërmi Ismail Qemali mendonte se Ballkani do të ndahej në dy kampe: nga njëra anë vendet sllave Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi, nga ana tjetër Rumania, Shqipëria dhe Greqia. Vetëm kështu ai mendonte se do të mund të arrihej një lloj ekuilibri në Ballkan.

Dëshira për vendosjen e një ekuilibri të tillë ishte, sipas tij, një nga arsyet pse Austro-Hungaria ishte aq e vendosur për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë. Për jetësimin e një ekuilibri të tillë, krijimi i Shqipërisë ishte domosdoshmëri dhe ai nuk duhej mbështetur vetëm nga Austro-Hungaria dhe Fuqitë e tjera të Mëdha, por të paktën edhe nga Rumania dhe Greqia.

Menjëherë sapo mbërriti në Bukuresht, Ismail Qemali u takua me ministrin e Jashtëm rumun, Take Ionesku, i cili e siguroi për mbështetjen që Rumania do t‘i jepte çështjes shqiptare. Ndër të tjera ky interes lidhej edhe me popullsinë vllahe, të cilën ajo pretendonte ta shkëpuste nga ndikimi grek, duke e bërë pjesë të shtetit të ardhshëm shqiptar. Ismail Qemalit i mbetej për të konfirmuar mbështetjen për çështjen shqiptare nga Fuqitë e Trepalëshit dhe Greqia.

Javën e parë të nëntorit, Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi e Kristo Meksi, la Bukureshtin dhe iu drejtua Vjenës, ku mendohej se do të gjenin mbështetje për të ardhmen e Shqipërisë. Në takimet që Ismail Qemali zhvilloi me përfaqësuesit austriakë e italianë, u bind se kishte ardhur koha për ta lënë mënjanë autonominë dhe për të kaluar drejt pavarësisë. Pasi arriti të sigurojë mbështetjen e tyre, mbetej për të biseduar edhe me qeverinë greke. Nëse ajo mbështeste pavarësinë e Shqipërisë, rruga për diskutime të mëtejshme me Greqinë mbetej e hapur.

Ashtu sikurse kishte ndodhur edhe në momente të tjera të rëndësishme për shqiptarët, Ismail Qemali nuk kishte hezituar të kërkonte mbështetjen e Greqisë zyrtare. Ai vazhdonte të mendonte se qeveria greke po përkrahte luftën e popullit shqiptar dhe të besonte se ajo do të mbështeste interesat e përbashkëta të Greqisë dhe të Shqipërisë. Në fakt, Mbretëria Greke ishte në dijeni të lëvizjeve të Ismail Qemalit. Që më 6 nëntor të 1912-ës, fill pas mbledhjes që Ismail Qemali bëri me përfaqësues të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, ambasadori grek atje kishte njoftuar Ministrinë e Jashtme mbi qëllimin e Ismail Qemalit për të mbledhur në Vlorë anëtarët e komiteteve brenda dhe jashtë Shqipërisë në një kuvend kombëtar, i cili do të themelonte një qeveri të përkohshme në krye të së cilës do të ishte ai vetë.

Në takimin e mesit të nëntorit të vitit 1912, Ismail Qemali vuri në dijeni ministrin e Jashtëm grek, nëpërmjet ambasadorit grek në Vjenë, në lidhje me iniciativën e tij për shpalljen e pavarësisë dhe mbështetjen që kishte arritur të siguronte nga Austro-Hungaria. Qeveria shqiptare që do të krijohej prej tij, nuk do të merrte pjesë në luftën ballkanike. Në atë kohë Greqia, në dallim nga Serbia, nuk kishte zbarkuar ende fuqishëm në territoret shqiptare.

Ajo vetëm kishte rrethuar Janinën. Nëpërmjet një njoftimi të tillë, Ismail Qemali duket se synonte nga njëra anë të ndalte okupimin e territorit shqiptar nga ushtria greke dhe nga ana tjetër të qetësonte disi Greqinë në lidhje me pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftë si pjesë e ushtrisë osmane. Duke qenë i vetëdijshëm në lidhje me problemet që mund të shkaktonte çështja e kufijve greko-shqiptare, ai i kërkoi Greqisë njohjen e qeverisë së tij me rezervën e një përcaktimi të kufijve në të ardhmen.

Në këmbim të predispozitave të mira që Greqia do të shprehte ndaj Shqipërisë, kjo e fundit merrte përsipër të mbështeste Greqinë kundër koalicionit sllav. Kjo mbështetje të lë të mendosh se Ismail Qemali vazhdonte ende të besonte në planin e tij për krijimin e një fronti antisllav, duke dashur ta shkëpuste Greqinë nga koalicioni ekzistues ballkanik dhe ta bënte pjesë të tij. Por a ishte e gatshme Greqia të mbështeste shqiptarët në një ndërmarrje të tillë, tepër të rëndësishme për të ardhmen politike të viseve të tyre?

Brenda zyrtarëve grekë kishte një rrymë që mbante një qëndrim më realist ndaj shqiptarëve. Ajo promovohej nga drejtori i zyrës shqiptare në Ministrinë e Jashtme Greke, njëkohësisht edhe këshilltar politik i komandantit të ushtrisë së Epirit, Sahturis. Ai ishte njohës shumë i mirë i çështjes shqiptare, madje ishte edhe hartues i disa raporteve e studimeve të hollësishme në lidhje me të, për qeverinë greke. Duke mbështetur shqiptarët për shpalljen e pavarësisë në Vlorë, Sahturisi dhe përkrahësit e tij pretendonin të evitonin një pushtim të mundshëm të Vlorës prej Italisë dhe njëkohësisht t‘i tregonin Evropës dhe pjesës dërrmuese të shqiptarëve qëllimet e mira që Greqia kishte duke ndihmuar në themelimin e shtetit shqiptar, por pa toleruar në çështjet kufitare. Nëpërmjet një ndihme të tillë, ajo rrymë mendonte të shkëpuste Shqipërinë nga ndikimi i Austro-Hungarisë dhe mbi të gjitha nga ai i Italisë.

Por mbledhjet e qeverisë treguan se mendimet e Sahturisit ishin pakicë. Ato u mbështetën vetëm nga një ministër. Të gjithë të tjerët ishin kundër.

Qëndrimin i qeverisë greke në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, e shpreh përgjigjja e datës 16 nëntor 1912, që qeveria greke i transmetoi konsullit grek në Trieste, për Ismail Qemalin.

“T‘i thuash – i rekomandonte ai – se nuk ke marrë ende orientime nga qeveria jote, por je i mendimit se qeveria greke do të duhej të njihte kufijtë e Shqipërisë”.

Në pamje të parë të duket se një tekst i tillë mbështet shqetësimin që kishte edhe Ismail Qemali, pra atë të kufijve. Përgjigjja të krijon përshtypjen se Greqinë nuk e shqetësonte akti i shpalljes së pavarësisë. Duket se kështu u kuptua ajo edhe nga Ismail Qemali. Në takimin që ai pati me konsullin austriak në Durrës, para se të nisej për në Vlorë, i konfirmoi atij premtimin që qeveria greke i kishte bërë atij për shpalljen e pavarësisë. Duket se qeveria greke nuk ishte e gatshme të deklaronte hapur qëndrimin e saj. Jam e prirur të mendoj se pavarësisht simpative reciproke që ajo dhe Ismail Qemali kishin pasur në vazhdimësi për njëritjetrin, qeveria greke nuk ishte e gatshme ta mbështeste pavarësinë e Shqipërisë, për shkak të marrëdhënieve të afërta me Serbinë, qëndrimit që ajo kishte marrë tashmë në mbështetje të planit serb për copëtimin e territoreve shqiptare dhe frikës se shqiptarët do të kërkonin që territoret jugore të pretenduara prej saj të ishin pjesë e shtetit shqiptar. Por, ajo nuk kishte as fuqi që ta pengonte shpalljen e saj, sepse Ismail Qemali kishte siguruar mbështetje ndërkombëtare të Fuqive të Trepalëshit.

Në një situatë të tillë, qeveria greke u përpoq ta vononte shpalljen e pavarësisë, të paktën deri në mbajtjen e Konferencës së Londrës. Në mungesë të reagimit shqiptar, Austro-Hungaria dhe Italia do ta kishin më të vështirë të mbronin çështjen shqiptare dhe fqinjët më të lehtë për të legjitimuar pretendimet e tyre në viset shqiptare.

Një politikë e tillë u shpreh së pari në mosheqjen e bllokadës së Vlorës, duke e detyruar anijen austriake me Ismail Qemalin në bord, të drejtohet për në Durrës.

Së dyti, në atmosferën penguese që atij iu rezervua në Durrës nga mitropoliti i qytetit, Jakovi. Qëndrimet e tij si ndaj shpalljes së pavarësisë, ashtu edhe ndaj pushtimit të qytetit nga ushtria serbe, ishin në mbështetje të politikës greke. Zbritja e ushtrisë serbe në Durrës shikohej nga shtypi grek, si faktor frenues i aktit të Shpalljes së Pavarësisë. I cilësuar nga një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve si “nacionalist anadollak”, Jakovi, në marrëveshje me autoritetet osmane të qytetit, doli në mbrojtje të sistemit të vjetër osman, duke kundërshtuar hapur ngritjen e flamurit shqiptar në Durrës nga Ismail Qemali.

Meshat e mbajtura prej tij kishin lënë mënjanë punët fetare për t‘u përkushtuar punëve politike. Në to, Ismail Qemali cilësohej të ishte një fanatik mysliman e aventurier dhe Pavarësia e Shqipërisë, si prishëse e harmonisë mes të krishterëve e myslimanëve.

Me asistencën edhe të konsullatës greke në Durrës, ortodoksëve të qytetit iu ishte bërë thirrje për t‘i mbajtur shpresat te pushtimi i shpejtë i qytetit nga forcat serbe. Ndërkohë, me anë fletushkash, tregtarëve ortodoksë durrsakë u bëhej thirrje ta shihnin me kënaqësi pushtimin e qytetit nga serbët, sepse komanda serbe do t‘u jepte atyre përkrahje.

Jakovi, së bashku me një kryqëzor grek, ishte nga pritësit e parë të serbëve në Durrës. Parullat e hedhura nga besnikët e tij shprehnin hapur kënaqësinë e pushtimit të qytetit nga serbët. Në fakt, Greqia, megjithëse e dëshiroi vonesën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, pa dashjen e saj ka gjasa të ketë ndikuar në të kundërtën. Nga një material i gjetur në Arkivin Qendror të Shtetit, në fondin e Ismail Qemalit, Kuvendi i shqiptarëve, i cili do të shpallte pavarësinë, pritej të mbahej ditën e hënën, më 2 dhjetor 1912.

Mbajtja e tij në atë datë sipas materialit në fjalë, lidhej me ardhjen e Myfid Libohovës nga Janina, ku kishte shkuar të takonte komandantin e ushtrisë osmane, Esat pashë Janinën dhe kishte arritur të shmangte arrestimin e Ismail Qemalit nga forcat osmane. Duke tentuar të priste lidhjen telegrafike nënujore, Vlorë-Otranto, e cila pretendohej se përdorej nga organet osmane për të transmetuar lajme të rëndësishme ushtarake, Greqia duhet t‘i ketë detyruar shqiptarët të shpejtonin mbajtjen e Kongresit, pa pritur ardhjen e Myfit Libohovës dhe të një pjese të delegatëve.

Të vënë në dijeni mbi përpjekjen greke, përfundimi me sukses i së cilës shkëpuste edhe lidhjen e Vlorës me botën e jashtme dhe pengonte njoftimin e shpalljes së pavarësisë, delegatët shqiptarë, të mbledhur në Vlorë shpallën pavarësinë e Shqipërisë disa ditë përpara, të enjten më 28 Nëntor 1912.

Comments

Popular posts from this blog

Irfan Makki "I Believe" [Download] full new R&B Islamic album

Irfan Makki "I Belive" 2011 full album Nasheed artist and songwriter Irfan Makki’s songs offer up vibrant imagery with the innocence of a child-like observer and the wisdom of an elderly man, blended with world beat percussion, South Asian rhythms and a distinctive urban R&B vocal style. A sensitive songwriter with a humble stage presence, Irfan has performed all over the UK, US, and Canada, sharing the stage with such artists and friends such as Dawud Wharnsby Ali, Zain Bikha, 786, and the US based hip hop group Native Deen. Born in Pakistan and migrating to Canada with his family as an infant, singer/songwriter Irfan Makki grew up within a community celebrating the diversity of cultures. Enchanted by dreams of utilizing his own voice in recitation and song, Irfan began to hone his own natural vocal talents. Throughout his teen years he immersed himself in the development of his unique musical style. The blessing of growing up against the multicultural city-scape of T...

Nga Bashkim Shehu: Leter nga ferri per Nexhmije Hoxhen

Leter nga ferri per Nexhmije Hoxhen Nga Bashkim Shehu Merr: Nexhmije Hoxha, Pularia e Laprakes Tirana, ALBANIA Zonje, Meqe nuk kam rruge tjeter per te sqaruar disa ceshtje me ju, po ju dergoj kete leter nepermjet gazetes "Korrieri". Si ndonja 2 vjet te shkuara, ju jam lutur, po nepermjet "Korrieri", qe te vertetoni se me cilat sherbime agjenturore ka qene i lidhur im ate, Mehmet Shehu, qe te mund te kerkoja pastaj prej shteteve perkatese pension si familje deshmori. Prandaj dhe e prita me interes botimin e kujtimeve tuaja ne faqet e gazetes me te madhe te Shqiperise, mirepo mbeta i zhgenjyer, duke pare se ishin nje perifrazim i zgjeruar apo konspektim talmudik i nje kapitulli te nje libri te burrit tuaj, botuar ketu e njezeteca vjet me pare.

Kreshnik Osmani: Plumbat e Sarajevës dhe pranvera arabo-amerikane

Nga: Kreshnik Osmani Me shumë interes dhe shqetësim dëgjova lajmin e atyre “pak” plumbave që vërshuan mbi muret e ambasadës amerikane në Sarajevë dhe prej tytës së një arme ballkanike me motive lindore u përpoqa të vjel lajme, prognoza e analiza psiko-sociale që dilnin të mbështjella plot afsh bashkë me tymin e së njëjtës tytë. Teksa i hedh një vështrim të ftohtë lajmit - për të qenë sa më realist - konstatoj me keqardhje se kjo histori është diçka më e thellë sesa çmenduria e pakontrolluar e një individi të dëshpëruar apo ekstremist. Rrufeshëm transportova vetveten për në Tiranë mbi “trenin” e ngarkuar rrëmujshëm me mendimet e mia të fundjavës dhe në përpjekje për të sistemuar të njëjtën rrëmujë u ula të hedh disa rreshta në kartë.  Nuk kam dëshirë ta mohoj se i shoqëruar prej imagjinatës time jo tërësisht të shfrenuar “u hodha në sulm” nëpërmjet perceptimit tim modest dhe tentova të fantazoj tekstin e kabllogrameve të rradhës prej selive diplomatike të Washingtonit në Ballkan, ...