Nga: Kreshnik Osmani
Ne vend te nje letre te hapur!
I nderuar Shkëlqesi!
Me shumë gëzim pritëm lajmin e iftarit të shtruar nga ana juaj për nder të besimtarëve muslimanë që kanë agjëruar Muajin e Madhëruar të Ramazanit. Një darkë aristokratësh dhe xhentëllmenësh e kryesuar nga vetë Ju së bashku me kryetarët e Komuniteteve Fetare të besimeve të ndryshme të mbarë trojeve shqiptare dhe nuk mund të mungonin, gjithashtu, edhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë bashkë me Jokerin e politikës shqiptare, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Arvizu. Iftar papjonash si ato që shtrohen në White House e që ngjasonte më shumë me një mbrëmje galà vjeneze sesa me një traditë petullash me reçel, kime me vezë dhe ndonjë pilafi me mish të shoqëruar me musht të freskët dhe ndonjë “bregu” kabunie.
Të them të drejtën, sapo mësova për panoramën, u lumturova shumë dhe menjëherë më shkoi ndër mend se të hash iftarin e Muhamedit (a.s) dhe të jetosh si vjenez apo parizien qenka vërtet diçka e mundur për ata që ndiejnë se janë europianë, sigurisht.
Një fjalim pompoz që shoqëronte përpjekjet e Tua të vazhdueshme për t’u treguar fetar, më kujtuan menjëherë një ndër thëniet më të shquara e më të dashura për mua të Nikola Makiavelit, i cili citohet të ketë thënë kështu: “Është shumë e dobishme për pushtetin e një Princi që herë pas here të tregohet ndopak fetar përpara popullit të tij.” Një ftesë brilante nga ana Juaj do të vinte më pas për të ndarë politikën nga religjioni e që do t’i linte gati pa frymë të gjithë atë “lloj” të ftuarish, që herë me çallma me plastmas të ardhura prej Turqie, herë të veshur me “Giorgio Armani” e herë sipas Synetit, sapo të kujtonin sesi bridhnin për të kërkuar vota derë më derë xhamive të Tiranës e të Shqipërisë, të angazhuarit Tuaj të fushatës elektorale për partinë që drejtoni, madje duke falur edhe ndonjë reqat namaz, ashtu fare të pa pluhurosur nga angazhimet e gjata elektorale të ditës.
Duke qenë se unë kam studiuar në Lindjen e Mesme dhe marr “ndopak” erë nga punët e fesë, mbështes pa asnjë rezervë ftesën Tuaj për të ndarë religjionin nga politika, sepse profesorët e universitetit ku kam studiuar, tek mendimi i të cilëve unë besoj shumë, thonin të njëjtën gjë. “Ata muslimanë që duan të merren me politikë - thonin ata - duhet të pushojnë së foluri për fenë atë ditë që vendosin të merren me politikë, sepse nuk ka më ofenduese për religjionin sesa t’i kërkoje popullit vota në emër të Zotit e të Pejgamberit.” Profesorët e mi të dashur - ashtu siç edhe Ju u shprehët në fjalimin Tuaj të mbajtur në iftar - kontestonin me shumë forcë, gjithashtu, çdo lloj formacioni politik fetar me arsyetimin se politikanët janë njerëz dhe njerëzit mund të kenë dështime dhe suksese, ndërsa feja është e pastër, e kulluar, e kristaltë dhe ajo nuk mund të dështojë kurrë. Gjithashtu, ata shpreheshin ashpër kundër të gjithë atyre që në emër të Zotit kërkojnë vota, duke i cilësuar si matrapazë e dallaverexhinj të pështirë. “Të gjithë ata që duan të merren me politikë, - shprehej Profesor Doktori më i dashur i universitetit për mua, - nuk duhet të pipëtijnë më për fenë që nga dita që vendosin t’i fusin hundët në punët e politikës, sepse që në atë moment shndërrohen në mashtrues dhe tregëtarë të saj.”
Nisur nga sa u përmend më sipër, edhe unë besoj se të gjitha Fetë Qiellore janë shumë herë më të pastra se vetë politika dhe hesapet e saj. Kjo është në njëfarë mënyre edhe pikëpamja islame për laicizmin që nuk ka vendosur të çmendet.
Shkëlqesia Juaj!
Kam dëgjuar para afro tri-katër viteve një tjetër gallatë e cila ngjasonte më shumë me një barcoletë, kur njerëz të ish-Sigurimit të Shtetit që nuk marrin as votat e familjarëve të vet, vendosën të hapnin një formacion politik “me demek musliman” ashtu siç kishte bërë edhe Nard Ndoka dhe nuk i kishte thënë gjë njeri, e pasi e gatuan “kauzën” mirë e mirë, herë me strategji hallve e herë me taktika nuskash, deshën të rrëmbenin prej duarve të Tua një tufë me vota muslimane, sepse Edvin Rama nuk u jepte muslimanëve xhami në Tironë dhe se gjendja e hoxhallarëve na kish pas qenë mjerane. Kam informacione të sigurta, gjithashtu, se në performacën vjeneze që kishte për qëllim mbrëmë të kujtojë ritualet e Muhamedit (a.s) paskërkan qenë të kapardisur përveç kancelarëve tolerantë e të moderuar K.M.SH-istë, të kollarisur me kujdes si të ishin Mehmeti i Gymyshit, edhe ndonjë “VIP” prej VIP-ave të djallit, që Ty të bëjnë qafir natën dhe dhurata me Muhamed e xhami iftareve të Tua të fillimnetëve, fare pa respektuar protokollin.
Të them të drejtën, këtu filloi të më pështirosej gjithçka. Autoriteti dhe integriteti Euro-Atlantik i kësaj paçavureje Republikë duhej të kishte filluar të rrëzohej në sytë e vetë amerikanëve, europianëve, arabëve, turqve e kinezëve. Nuk dyshoj aspak, se në një Republikë Europiane studiohen imtësisht detajet më të imtësishme të një pritjeje protokollare, aq më tepër kryeministrore a kryebashkiake, por kur shoh të kapërdisur në tryezat e Tua njerëz (nuk e di saktësisht një a më shumë se një) që nuk besojnë tek Europa, as tek bashkekzistenca, as tek shqiptaria, por me megafonë bërtasin e çirren në mesin e kryeqytetit tim kundër njerëzillëkut, kundër bashkekzistencës paqësore me muslimanët që nuk mendojnë si ata fillimisht, e më pas kundër të krishterëve, ateistëve, budistëve e të pafeve, kundër kurvave me minifund (ashtu siç i cilësojnë vajzat e ndershme të vendit tim), të cilat jo të gjitha pa agjërim, popullojnë rrugët e Tiranës e të Shqipërisë në këto ditë të nxehta gushti, shokohem dhe kuptoj se politika qenka njëçikëz më kurvë se prostitutat.
Përfundimisht, pa patur asnjë mundësi të dyshoj në dashamirësinë dhe lëvizjen Tuaj thellësisht respektuese, njerëzore e politike, kam dëshirë përpara se të përsëris falënderimet për xhestin Tuaj, t’i bëj me dije shkëlqesisë Tuaj se Shqipëria ka qenë është dhe do të mbetet imune karshi të gjitha llojeve të perversiteteve që në emër të fesë flirtojnë tinëzisht ballove Tuaja (për një grusht vota) dhe se muslimanët shqiptarë së bashku me bashkëkombasit e tyre të feve të tjera, nuk kanë për ta ngatërruar perversen me qielloren, por do ta hedhin atë në koshin e plehrave të historisë së bashku me të gjithë ata djaj fetarë, që besojnë se Zoti nuk e njeh Shqipërinë dhe se Ai merret vetëm me vendet e shkretëtirave që prodhojnë naftë, dollarë e Synet, e që vijnë më pas për të vjedhur imunitet politik tryezave të Tua jo gjithmonë të kujdesshme. Kam shumë dëshirë që të vazhdoj të qëndroj në këtë Republikë, Shkëlqesia Juaj, ndaj dhe lutem të bëni çfarë të mundeni që jeta të bëhet e jetueshme edhe këtu, pasi tempulli i fisnikërisë së misionit Tuaj është t’ia bëni të dashur jetën të gjithë shqiptarëve të ndershëm që duan të jetojnë në Shqipëri.
Comments
Post a Comment