Skip to main content

Kreshnik Osmani: "Hijet e pneumonise komuniste!"


Nga: Kreshnik Osmani

          Hera e fundit që rastësisht Ramiz Alinë ma kanë zënë sytë ka qenë tek një lokal jo pak i njohur i vendit tim, i rrethuar nga qerosë me qafa të majme që përpiqeshin të rrëmonin ndonjë prej historive të pluhurosura të sistemit prej fytyrës së ish-presidentit. Asnjëherë nuk arrita të bëj një lidhje direkte mes bosëve shumë të rinj në moshë, kapitalistë me kokë të rruar dhe me makina luksoze të parkuara aty rrotull dhe kopjes së fundit të çelësave të një regjimi që kishte pushtuar dyert e kohës gjysëmshekullore të Shqipërisë. Mendova menjëherë se ai ishte kopja e fundit origjinale e sekreteve të sistemit dhe çdokush prej kapitalistëve të rinj duhej të prodhonte kopjet e tij për të hapur “kutinë e zezë” të një aeroplani që tashmë dukej se ishte bërë shkrumb e hi! Mësova se ish-presidenti ishte ndarë nga jeta në senatoriumin e Tiranës duke luftuar me një sëmundje që i kishte paralizuar mushkëritë. Më ndodh shpesh që për njerëz të tillë me një të shkuar të mbushur plot lavde e mallkime, të analizoj mënyrën e vdekjes e pas saj të përgatis edhe llojin e qefineve për historitë e tyre të varrosura. Mirë a keq, unë besova se këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me vdekjen e një personi normal dhe
e konsiderova mes meje dhe vetes time se prej urtësisë së Zotit ishte që vdekja e Alisë të fillonte me mushkëritë për t’u dhënë një mesazh të gjithë atyre që kanë sy e veshë se kjo ishte vdekja e një fryme dhe jo e një personi më sëmundje në mushkëri. Ishte ajo frymë që për gati gjysëm shekulli ftohu mushkëritë e ëndrrave të shqiptarëve duke e goditur popullin hallemadh me një pneumoni akute, hijet e zeza të së cilës do ta shoqëronin atë për një kohë të gjatë. I ftohur në vegjëlinë time dhe me nënën përdore duke pritur në radhë të bëja ndonjë radioskopi për mushkëritë e mia, mbaj mend prej doktorit që u tregonte të moshuarve se megjithëse gjendja e tyre ishte përmirësuar, vazhdonin të ekzistonin disa hije të zeza tek mushkëritë e tyre që tregonin qartë se shumë vite më parë kishin kaluar ftohësira dhe pneumoni të rënda. “Doktor, ndihem mirë” - hidhej dikush si duke dashur të mbajë veten me gajret, por doktori ngulte këmbë që pacienti duhej të bënte shumë kujdes, pasi hijet e zeza të mbetura në mushkëri mund ta pushtonin sërish mushkërinë dhe shërimi më pas do të bëhej i pamundur. U ktheva sërish bashkë me shiun e kthyer pas një kohe të gjatë, të njom thatësirën që më pushtonte kureshtjen dhe për të parë në shumë pak sekonda llojin e pneumonisë me të cilën sistemi kishte goditur të ardhmen e mushkërive të Shqipërisë.
Protagonizmi i Alisë kishte nisur që në djepin e sistemit: angazhimi në vitet e luftës (1941-1944), formimi i PKSH-së, dëshmitar i dështimit të zgjedhjes së Enver Hoxhës si udhëheqës në mbledhjen e parë të PKSH-së, zhvillimet e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, prishja e Marrëveshjes së Mukjes, “muaji i mjaltit” me Jugosllavinë, më pas me rusët e kinezët, dëshmitar i masakrave të Mehmet Shehut dhe i letrës së lamtumirës së këtij të fundit ku cilësohej si Krushov, dëshmitar i gati 8500 të burgosurve politikë, humbjes së Enverit dhe dëshmia e tij se ndërrimi i sistemit nuk duhej të ndodhte me luftë qytetare! Në një përpjekje të tij të mëvonshme në fillimvitet ‘90 për të bërë një prognozë lidhur me të ardhmen e Shqipërisë, Alia citohet të jetë shprehur se “kusht i domosdoshëm për të pasur një gjendje të qëndrueshme, stabilitet, është bashkëpunimi i forcave politike që veprojnë sot në vendin tonë dhe se duke qenë e vetme në krye të punëve, asnjëra prej forcave politike nuk është në gjendje ta nxjerrë vendin nga vështirësitë në të cilat gjendet dhe ta çojë atë përpara me sukses”. Duke radhitur arsyet e pohimit të tij të mësipërm, ai thekson se “asnjëra prej partive ekzistuese nuk e ka përvojën e nevojshme politike dhe as aftësinë për të drejtuar shtetin, pasi dihet shumë mirë se si dhe kur u krijua ansambli i partive në Shqipëri”. Sapo të lexosh të tilla pohime nuk ke më asnjë mundësi të luash naivin e të hiqesh sikur asgjë nuk ke marrë vesh. Vetë Alia kishte folur qartë dhe kishte shmangur sa të mundte komunikimin e kodifikuar politik dhe këtë, për mendimin tim, për dy arsye shumë të rëndësishme. E para, për t’u treguar hafijeve të ish-sistemit se cilat ishin hartat dhe skemat e hijeve të zeza të pneumonisë komuniste; dhe e dyta: për t’u lënë amanetet bijve të regjimit të ngatërruar mjeshtërisht prej duarve të vetë atij, sa majtas e sa djathtas, se edhe atëherë kur duhet të teatrojnë përpara popullit mazhorancë dhe opozitë të njohin njëri-tjetrin mirë se kush janë, e t’ua tregojnë brezave që secila njollë majtas të jetë në gjendje ta identifikojë njollën e zezë tek kolegia e saj djathtas, pasi janë të gjithë bijtë e të njëjtës nënë: te Nënës Parti. Si mund të thuash se ky njeri nuk kish qenë i zgjuar? Me bijtë e tij të thurur mjeshtërisht tek qilimi demokrat dhe ai socialist, arriti t’i bëjë shërbimet mike “të flasin me vete”. Edhe vetë amerikanët nuk ishin në gjendje gjithmonë të kuptonin se ku hante x-i e ku pinte y-i dhe edhe në ato raste ku u kërkohej me ngulm të jepnin ndonjë deklaratë lidhur me çështjen në fjalë, thonin se ata kujtojnë se ne nuk i dimë, por ne i dimë dhe i njohim të gjithë aq sa atyre mendja nuk ua merr.
Ditët e fundit, ambasadori Aleksandër Arvizu do të shprehej se në Shqipëri ka klane antiamerikane dhe se Shqipëria tashmë është në udhëkryq!!! Unë nuk kam dëshirë të zgjatem, pasi e kam merak të mos i lodh njerëzit me rreshta shumë, por dua të përfundoj këtë gjënë që kam shkruar duke shprehur bindjen time të plotë se Pneumonia me të cilën komunizmi goditi për gjysëm shekulli mushkërinë e aspiratave të kombit ka lënë pas hijet e veta të zeza të shpërndara kudo majtas e djathtas, pa e diskutuar, gjithashtu, se sipërfaqe jo shumë të dukshme janë ende të paprekura majtas dhe djathas edhe ndër bijtë e tjerë të ndershëm të vendit tim që janë me shumicë dhe presin radhën të dymijtë apo të tremijtë për t’u integruar tek dy partitë e mëdha. Fryma vdiq dhe e dorëzoi shpirtin diku atje në Sauk, por njollat janë ende mes nesh. Shqiptarët e ndershëm e kanë për detyrë të vetëdijësohen dhe me inteligjencë e maturi ta çmontojnë bipolarizmin postkomunist dhe nëpërmjet liberalizimit të tregut politik t’u hapin rrugën bijve të ndershëm të kombit, inteligjenca dhe mençuria e të cilëve zvarritet rrugëve të kurbetit, por dhe brenda kombit, për arsyen e thjeshtë se hijet vazhdojnë të komandojnë lojën dhe se pneumonia shqiptare nëse nuk do të ndalet nga vetë ne, bijtë e saj, ky popull, edhe nëse do të vazhdojë të jetojë, do të marrë frymë me gjysëm a çerek mushkërie!!! 
Eshte prej qyteterimit tek i cili besoj te kujtoj te mirat e te vdekurve, e nese Alia meriton meshire i vdekur, shqiptaret e mbetur gjalle meritojne pak me shume!!!

Comments

Popular posts from this blog

Irfan Makki "I Believe" [Download] full new R&B Islamic album

Irfan Makki "I Belive" 2011 full album Nasheed artist and songwriter Irfan Makki’s songs offer up vibrant imagery with the innocence of a child-like observer and the wisdom of an elderly man, blended with world beat percussion, South Asian rhythms and a distinctive urban R&B vocal style. A sensitive songwriter with a humble stage presence, Irfan has performed all over the UK, US, and Canada, sharing the stage with such artists and friends such as Dawud Wharnsby Ali, Zain Bikha, 786, and the US based hip hop group Native Deen. Born in Pakistan and migrating to Canada with his family as an infant, singer/songwriter Irfan Makki grew up within a community celebrating the diversity of cultures. Enchanted by dreams of utilizing his own voice in recitation and song, Irfan began to hone his own natural vocal talents. Throughout his teen years he immersed himself in the development of his unique musical style. The blessing of growing up against the multicultural city-scape of T...

Nga Bashkim Shehu: Leter nga ferri per Nexhmije Hoxhen

Leter nga ferri per Nexhmije Hoxhen Nga Bashkim Shehu Merr: Nexhmije Hoxha, Pularia e Laprakes Tirana, ALBANIA Zonje, Meqe nuk kam rruge tjeter per te sqaruar disa ceshtje me ju, po ju dergoj kete leter nepermjet gazetes "Korrieri". Si ndonja 2 vjet te shkuara, ju jam lutur, po nepermjet "Korrieri", qe te vertetoni se me cilat sherbime agjenturore ka qene i lidhur im ate, Mehmet Shehu, qe te mund te kerkoja pastaj prej shteteve perkatese pension si familje deshmori. Prandaj dhe e prita me interes botimin e kujtimeve tuaja ne faqet e gazetes me te madhe te Shqiperise, mirepo mbeta i zhgenjyer, duke pare se ishin nje perifrazim i zgjeruar apo konspektim talmudik i nje kapitulli te nje libri te burrit tuaj, botuar ketu e njezeteca vjet me pare.

Kreshnik Osmani: Plumbat e Sarajevës dhe pranvera arabo-amerikane

Nga: Kreshnik Osmani Me shumë interes dhe shqetësim dëgjova lajmin e atyre “pak” plumbave që vërshuan mbi muret e ambasadës amerikane në Sarajevë dhe prej tytës së një arme ballkanike me motive lindore u përpoqa të vjel lajme, prognoza e analiza psiko-sociale që dilnin të mbështjella plot afsh bashkë me tymin e së njëjtës tytë. Teksa i hedh një vështrim të ftohtë lajmit - për të qenë sa më realist - konstatoj me keqardhje se kjo histori është diçka më e thellë sesa çmenduria e pakontrolluar e një individi të dëshpëruar apo ekstremist. Rrufeshëm transportova vetveten për në Tiranë mbi “trenin” e ngarkuar rrëmujshëm me mendimet e mia të fundjavës dhe në përpjekje për të sistemuar të njëjtën rrëmujë u ula të hedh disa rreshta në kartë.  Nuk kam dëshirë ta mohoj se i shoqëruar prej imagjinatës time jo tërësisht të shfrenuar “u hodha në sulm” nëpërmjet perceptimit tim modest dhe tentova të fantazoj tekstin e kabllogrameve të rradhës prej selive diplomatike të Washingtonit në Ballkan, ...