Skip to main content

Kreshnik Osmani: Plumbat e Sarajevës dhe pranvera arabo-amerikane


Nga: Kreshnik Osmani

Me shumë interes dhe shqetësim dëgjova lajmin e atyre “pak” plumbave që vërshuan mbi muret e ambasadës amerikane në Sarajevë dhe prej tytës së një arme ballkanike me motive lindore u përpoqa të vjel lajme, prognoza e analiza psiko-sociale që dilnin të mbështjella plot afsh bashkë me tymin e së njëjtës tytë. Teksa i hedh një vështrim të ftohtë lajmit - për të qenë sa më realist - konstatoj me keqardhje se kjo histori është diçka më e thellë sesa çmenduria e pakontrolluar e një individi të dëshpëruar apo ekstremist. Rrufeshëm transportova vetveten për në Tiranë mbi “trenin” e ngarkuar rrëmujshëm me mendimet e mia të fundjavës dhe në përpjekje për të sistemuar të njëjtën rrëmujë u ula të hedh disa rreshta në kartë. 
Nuk kam dëshirë ta mohoj se i shoqëruar prej imagjinatës time jo tërësisht të shfrenuar “u hodha në sulm” nëpërmjet perceptimit tim modest dhe tentova të fantazoj tekstin e kabllogrameve të rradhës prej selive diplomatike të Washingtonit në Ballkan, duke ua raportuar realitetin e gadishullit gjysmë aleat eprorëve të tyre në Departamentin e Shtetit. Pikërisht ato kabllograme që mendova se do të na i lexojë Assange i Wikileaks nuk e di se kur.
Në fakt, është e vështirë të jesh shumë i saktë kur të mungojnë një tufë e madhe me informacione që kanë lidhje me rastin në fjalë, aq më tepër kur ngjarja flitet të ketë lidhje me një grup të quajtur celulë ekstremiste e Jashareviçit në Beograd. Të them të drejtën, pas leximit me kujdes të rrethanave, kohës dhe vendit të ngjarjes, nuk munda të mos ndërtoj analogji gjeopolitike ndërmjet dy realiteteve gjeografikisht jo aq të afërt. I pari, që ka të bëjë me zhvillimet dhe revolucionet demokratike arabe dhe i dyti me mënyrën sesi zhvillohen ngjarjet në këtë copëz Europe që quhet Ballkan. Pa dashur të ndalem në secilin prej realiteteve ndër shtetet ballkanike të banuara prej një pjese të konsiderueshme të muslimanëve, për të mos u zgjatur, po i referohem realitetit shqiptar. Kjo për arsye se pjesa më e madhe e rrethanave në të cilat kanë rrugëtuar zhvillimet politike dhe kulturore ndër shtetet e Ballkanit është gati e ngjashme. Arsyeja tjetër është shqetësimi i lindur me atë që mund të ndodhë në vendin tim në të ardhmen.
Pas rënies së kampit komunist të Lindjes, në Ballkan vërshuan një numër i madh njerëzish që vinin për të ringjallur e për të ndihmuar rimëkëmbjen e religjionit të ndaluar prej diktaturës ateiste. Pjesa më e madhe e tyre mbërrinin në Shqipëri me entuziazmin e triumfit mbi rusët në Afganistan dhe të furnizuar me një sasi të madhe parash dhe literature libërthash, lëviznin të qetë rrugëve europiane të Shqipërisë e të Ballkanit duke përdorur imunitetin amerikano-arab me të cilin ishin furnizuar për t’ia kundërvënë sovjetikëve.  Imuniteti i tyre mbërrinte deri aty sa fare pa trokitur mund të hynin me shapka tek zyrat e pushtetarëve më të lartë të Shqipërisë, por jo vetëm, për t’i ofruar projekte bamirësie, ujësjellësash, kurbanesh, kursesh rrobaqepësie dhe gjuhësh të huaja dhe ndonjëherë edhe ushqim, brekë e kanatiere për Gardën e uritur e të paveshur që ruante shtetin, sigurinë e shtetit tim.
Për afro një dekadë, ata arritën të ndërtojnë një sistem të çuditshëm të mendimit religjioz, i cili gjeopolitikisht ashtu ishte i kurdisur për të tjera llogari gjeografike, sociale e kulturore, u ngulit thellë tek shtresat kryesisht të varfëra të shoqërive muslimane postkomuniste në Ballkan. Vinte kjo në një kohë kur në Shqipëri kishin mësyer, gjithashtu, një pafundësi shoqatash humanitare të krishtera, gjë e cila jepte shkas të argumentonin grindën dhe pasionin e tyre tek eprorët e vet në vendet e origjinës.
Kjo periudhë zgjati deri në ngjarjet e 11 Shtatorit 2001 kur filloi operacioni “fshesa”.  Sigurisht që nxjerrja prej Shqipërisë brenda natës e të gjithë “problematikëve” - ashtu siç kishin dhënë udhëzimet e tyre edhe shërbimet inteligjente aleate - nuk kishte asnjë mundësi të çrrënjoste me të njëjtin ritëm atë frymë dhe mendim që u trashëgua pas një dekade “pune” intensive prej një pjese shumë të rëndësishme të të njëjtëve.  Aleatëve tashmë u kishte “plasur” në dorë një minë që nuk ishte projektuar për tek rajoni i rëndësishëm ku stacionoheshin të tjera interesa të rëndësishme të tyre dhe menjëherë menduan për masat që duheshin marrë.   
Duke e shpërngulur çështjen në drejtim të vendeve të mëdha islame me qëllim qartësimin e situatës ndërkombëtare asokohe, pak pas sulmeve të 11 Shtatorit në New York kur administrata e presidentit Bush e shpalli luftën e saj kundër atij që e quajti “terrorizëm ndërkombëtar” në Irak e Afganistan, në Turqi doli në skenë AK Parti e themeluar dhe e drejtuar prej një grupi të moderuar muslimanësh me në krye kryeministrin aktual të Turqisë Rexhep Taip Erdogan dhe mikun e tij të ngushtë presidentin aktual të Turqisë Abdullah Gyl, të cilët sollën në skenën politike botërore një përceptim modern të Islamit që ishte në gjendje të bashkëjetojë politikisht dhe kulturalisht me Perëndimin, veçanërisht me Amerikën që kishte dhe vazhdon të ketë interesa të mëdha në rajon. Ashtu ndodhi dhe prej asaj dite AK Parti vazhdon të jetë fuqishëm në pushtet, duke regjistruar në CV-në e arritjeve të saj një boom ekonomik, politik, kulturor dhe strategjik të padëshmuar më parë. Fuqia e atyre që u cilësuan si islamikë të moderuar turq, arriti majat dhe fitoret sa vinin e i rrisnin përmasat e tyre. Erdogan arriti që krahas votave të muslimanëve praktikantë të marrë edhe votat e pub-eve, minifundeve, bikini-ve dhe whisky-t, sikurse surprizoi në Izmir në zgjedhjet e fundit, në njërin prej bastioneve që kurrë më parë nuk kishte mundur ta depërtojë bindshëm.  Amerikanët e kënaqur prej kësaj performance të qeverisë Erdogan të nxitur edhe prej pragmatizmit politik për të cilin shquhen (edhe kur e duan edhe kur nuk e duan dikë), filluan të mendojnë për një tjetër skemë gjeopolitike që do të shtrihej përtej Turqisë. Të habitur deri në mahnitje prej skicave gjeopolitike të gjeneratorit të mendimit të politikës së jashtme turke Ahmet Davutoglu (ministri i jashtëm aktual i Turqisë), perëndimorët filluan të mendojnë për mundësitë e përhapjes së kësaj fryme edhe në Lindjen e Mesme, por edhe tek ato vende ku kishte sunduar për shekuj me radhë Perandoria Osmane. Perëndimi filloi të mendojë se të merret vetëm më Turqinë do të ishte më e lehtë për ta se të merren me secilin shtet musliman më vete.
Ashtu ndodhi. Depot e parave të Katarit, mbështetja amerikane dhe zgjuarsia e diplomacisë turke filluan të ndërveprojnë dukshëm të shoqëruara edhe me “tregimin e dhëmbëve” ndaj Izraelit që kishte bërë gallatë për shumë dekada specifikisht me çështjen palestineze dhe përgjithësisht me liderët arabë. Diktatorët arabë e mbanin Perëndimin nën trysninë e frikës së islamikëve duke u treguar atyre se rrëzimi i tyre prej pushtetit do të sillte islamikët në pushtet, se Izraeli do të gjendej në rrezik dhe se Perëndimi do të humbiste interesat e veta atje. Vendimi u mor pasi strategjia e disa dekadave kishte rezultuar nul dhe hordhitë filluan të bien një nga një. Siç është në dijeninë e të gjithëve, bota arabe u përfshi nga revolucionet e popujve për të çmontuar diktaturat gjysmëshekullore që u kishin zënë frymën, të ndihmuar e të mbështetur pa asnjë rezervë nga vetë perëndimorët që i kishin mbajtur në pushtet karikaturat qeverisëse. Aleatët më të mëdhenj të amerikanëve dhe europianëve për një kohë të gjatë në krye të listës të së cilëve ishin Ben Ali dhe Mubarak përfunduan tek plehërat e historisë, e pas tyre koloneli fantazist Muamar Kadafi.
Obama, Sarkozi e Merkel filluan të mendojnë ndryshe. Hartimi i strategjive duhet të ndryshonte pasi kukullat e tyre nuk kontrollonin më asgjë. Amerika e rraskapitur prej Irakut e Afganistanit nuk kishte më fuqi të hapte të tjera fronte lufte për të shtypur terrorizmin e trumpetuar prej putave arabë që sundonin popujt e tyre me hekur dhe gjak. Ishte gabim i madh që demokratizimi i botës arabe të ndërtohej i bazuar në njërën prej dy alternativave që nuk kishin të tretë: e para diktatorët arabëdhe e dyta rreziku i islamikëve ekstremistë. Shenjat e para filluan të dalin në sipërfaqe. Mundësia e parë serioze që iu dha popullit të Tunizisë për të zgjedhur pas rënies së diktatorit Ben Ali, ishte fitorja e thellë dhe e paparashikuar e partisë me rrënjë muslimane Al-Nahda e drejtuar nga një burrë plak, i urtë e i mençur i quajtur Rashid al Ghannushi. Personalisht kam drekuar e darkuar në disa kryeqytete me burrin e urtë që fshihej në Londër prej Ben Alisë dhe dëshmoj se ishte vërtetë një njeri i madh që e donte të gjithë njerëzimin. Nuk i urrente ata që nuk mendonin si ai. Nuk i poshtëronte me terma vulgarë të gjithë ata që kishin një fe tjetër tek e cila besonin. Por edhe shumë krenar për identitetin e vet kombëtar, kulturor e religjioz. Për çudi të të gjithëve, urimet për fitoren e Ghannushit erdhën të parat prej znj.Katherine Ashton, kryetare e Komisionit për Politikat e Jashtme në Bashkimin Europian, e më pas do të vinin të tjerët me radhë. Ghannushi duke e kuptuar që gjendej nën lupën dhe vështrimin e gjithë dynjasë, shpejtoi të japë deklaratat e para të qetësimit të komunitetit ndërkombëtar, duke u shprehur se qeveria e tij do të ishte e hapur për bashkëpunim me Perëndimin, do të mbrojë me rigorozitet të drejtat e gruas dhe nuk do të ndërhyjë tek çështjet që kanë të bëjnë me liberalizmin, turizmin, alkoolin dhe të tjera aspekteve të lidhura me to, pasi i konsideron ato si zgjedhje personale të jetesës së njerëzve. Ai tha se liria është e vetmja mënyrë që njerëzit të dëgjojnë e të kuptojnë njëri-tjetrin. E thënë më shqip, la të kuptohet se do të jetë një Erdogan i ri i Tunizisë. A është fitorja e Al Nahda-s në Tunizi një tregues paraprak edhe për fitoren e të njëjtës frymë në Egjipt apo jo, kur atje të zhvillohen zgjedhjet e para post Mubarak së shpejti?! Kjo është një histori e gjatë tek e cila nuk e shoh me vend të ndalem, pasi argumentimi mund të më marrë shumë kohë.  
Arsyeja përse e bëra prezente në shkrim këtë kronologji të ngjarjeve në nivel ndërkombëtar, ka të bëjë me një pikëpyetje shumë të madhe që lind në mendjen time e që normalisht duhet të jetë prezente edhe tek të tjerë lexues të imtësive ndërkombëtare dhe rrethanave në të cilat ndodhin ngjarjet këtu dhe atje. Ekziston një frymë fanatizmi përgjithësisht në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri, kryesisht tek muslimanë praktikantë (por jo vetëm) që qarkullon me të njëjtin intensitet, vrull dhe fanatizëm që qarkullonte në botën islame përpara 20-30 vjetësh. Një rekrutim gati ilegal i varfërisë, i naivitetit, i analfabetizmit kulturor nga njerëz që përveç ndonjë dëshmie “bouno per Albania” nuk kanë asnjë background a asset kulturor për të rënë në sy dhe asnjë pikëpamje të qartë akademike për harmoninë ndërmjet kulturës dhe religjionit, artit dhe fesë, gjeopolitikës dhe shpirtërores. Ndërkohë që bota arabe po çlirohet nga instrumentalizimi i injorancës dhe shumë difekteve të tjera të islamizmës së diktuar prej shërbimeve sekrete të vendeve përkatëse dhe po i shkelmon përfundimisht ato, vërejmë në Ballkan sulm alla Bin Laden kundër selisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pyetjet lindin të gjitha njëra pas tjetrës. Si është e mundur që në Kajro, Tuniz, Tripoli, Bengazi të ngrihet flamuri i NATO-s dhe në Ballkan të sulmohet selia e kokës së saj?! Pa e lejuar veten aspak të emocionohet pyes sërish: Cila është ajo dorë që ushqen ballkanikisht ekstremizmin? A mos vallë kemi të bëjmë edhe këtu me regjime që për të fituar mbështetjen e Perëndimit sajojnë dhe ushqejnëunderground talebanizmin kulturor, kurdizmin fetar dhe che-guevarizmin religjioz që shfaqet here pas here i ngarkuar me reminishenca të rrezikshme të cilat lançohen në mënyrë të papërgjegjshme edhe prej vetë pushtetarëve?! Si është e mundur që përveç trajtimit me shumë interes të çështjeve të Palestinës, Irakut e Afganistanit, nuk kam parë deri më sot asnjë marshim të shoqatave muslimane ku të derdhur si në bajrame rrugëve të kryeqytetit të ngrenë flamujt e Mitrovicës, Preshevës, Bujanovcit e Çamërisë?!
Nëse të gjithë këtë do ta konsideronim një frymë jo koshiente që në mënyrë të pavullnetshme shkon natyrshëm me linjat e shërbimeve dashakeqe në rajon, a na duhet të pranojmë vallë se ato qenkërkan thellësisht të integruar dhe ndikues në çdo qelizë politike, kulturore dhe religjioze të Ballkanit?! Apo do ta konsiderojmë diplomatikisht rast të izoluar atë që ndodhi në Sarajevë, ndërkohë që në internet dhe në mes të qyteteve tona qarkullojnë ballkanikisht një arsenal i pafund me video, deklarata, citate, libërtha dhe forume duke shpërndarë thirrje që hapur përcjellin një urrejtje me përmasa të frikshme sipas modelit bask të ETA-s?! Aq më tepër, në një kohë kur kjo e fundit deklaroi shpërbërjen e saj!!!
Përfundimisht, mund të them me bindje të plotë se Ballkani dhe veçanërisht shqiptarët e kanë përuruar të bindur pranverën e tyre me NATO-n ditën kur gjenerali amerikan Klark i shtypi butonat e raketave të NATO-s për të ndihmuar lirinë e merituar të shqiptarëve në Kosovë, pa pyetur se kujt religjioni i përkasin shqiptarët, por sigurisht, edhe duke iu referuar interesave të tyre në rajon.
Së dyti, Ballkani ka sot në tryezën e tij politike të punës, njërën prej tri zgjidhjeve që mesa duket kanë imponuar vetveten në mënyrë të hapur dhe që kanë edhe bekimin e vetë perëndimorëve: ose të shkojnë në Washington nëpërmjet Ankarasë, ose nëpërmjet Brukselit, ose nëpërmjet harmonizimit të dy formulave gjeopolitike brenda një të vetmeje konsensuale. Dhe në të treja rastet duhet patur shumë kujdes, pasi instrumentalizimi pasionant i dëshirave të diktuara prej kulturës apo religjionit dhe përdorja e tyre kundër njëri-tjetrit brenda anëtarëve të kombit, mund të nxisë konflikte dhe përplasje fare të panevojshme, madje shumë të rrezikshme për kohezionin kombëtar dhe të ardhmen europiane të vendit.
Së treti, e vetmja mënyrë për të demontuar plumbat e mbetur depove të Ballkanit, qofshin ato të Sarajevës, Prishtinës, apo Tiranës a gjetiut, është hartimi i një strategjie të qartë dhe gjithëpërfshirëse të sigurisë rajonale, brenda së cilës plotësohen kushtet dhe gjendet klima për mbijetesën harmonike të një përceptimi të ri ballkanik, brenda kornizave të respektit ndaj diverses religjioze, europianizmit kulturor, nacionalizmit të moderuar realist, si dhe përpilimi i një orientimi konsensual gjeopolitik të maturuar, që mund të garantojë mbijetesën me dinjitet të identitetit kombëtar dhe kulturor, të diktuar këto “dhunshëm” prej ritmeve të globalizmit dhe prej shpejtësisë me të cilën lëvizin interesat ekonomike, politike dhe gjeostrategjike.
Nuk ka dyshim se makineria antishqiptare ballkanike do ta instrumentalizojë, politikisht, fetarisht dhe kulturalisht ngjarjen e Sarajevës tek selitë diplomatike perëndimore për t’iu kundërvënë edhe projektit të natyrshëm për bashkim kombëtar të shqiptarëve, duke e cilësuar rrezikun shqiptar dhe boshnjak si dy anë të së njëjtës monedhë.
Nisur nga gjithçka përmenda më sipër, ka ardhur dita që të kuptojmë se shqiptarët kanë ç’të marrin e ç’të japin prej Lindjes e Perëndimit dhe se pozicioni i tyre strategjik në rajon dhe trashëgimia tejet e larmishme historike, duhet të vihet në shërbim të interesave shqiptare dhe të një mirëqenieje mbarëkombëtare të shtrirë barazisht për të gjithë anëtarët e Kombit, si e vetmja mënyrë për t’i hapur rrugën mirëkuptimit të brendshëm, bashkëjetesës në harmoni ndërmjet diverses dhe ndërveprimit paqësor të trashëgimisë pozitive të bartur prej Lindjes dhe Perëndimit, të orientuara bashkarisht brenda një mase kulturore ku përzihen në harmoni të plotë koloriti i secilës prej tyre dhe së bashku të nisen për të rrezatuar strategjikisht një produkt ballkanik unikal në nivel botëror, për nga forma dhe përmbajtja, e të ekspozohen vitrinave të historisë moderne të familjes së përbashkët europiane, pjesë të së cilës natyrshëm jemi.

Comments

Popular posts from this blog

Irfan Makki "I Believe" [Download] full new R&B Islamic album

Irfan Makki "I Belive" 2011 full album Nasheed artist and songwriter Irfan Makki’s songs offer up vibrant imagery with the innocence of a child-like observer and the wisdom of an elderly man, blended with world beat percussion, South Asian rhythms and a distinctive urban R&B vocal style. A sensitive songwriter with a humble stage presence, Irfan has performed all over the UK, US, and Canada, sharing the stage with such artists and friends such as Dawud Wharnsby Ali, Zain Bikha, 786, and the US based hip hop group Native Deen. Born in Pakistan and migrating to Canada with his family as an infant, singer/songwriter Irfan Makki grew up within a community celebrating the diversity of cultures. Enchanted by dreams of utilizing his own voice in recitation and song, Irfan began to hone his own natural vocal talents. Throughout his teen years he immersed himself in the development of his unique musical style. The blessing of growing up against the multicultural city-scape of T...

Nga Bashkim Shehu: Leter nga ferri per Nexhmije Hoxhen

Leter nga ferri per Nexhmije Hoxhen Nga Bashkim Shehu Merr: Nexhmije Hoxha, Pularia e Laprakes Tirana, ALBANIA Zonje, Meqe nuk kam rruge tjeter per te sqaruar disa ceshtje me ju, po ju dergoj kete leter nepermjet gazetes "Korrieri". Si ndonja 2 vjet te shkuara, ju jam lutur, po nepermjet "Korrieri", qe te vertetoni se me cilat sherbime agjenturore ka qene i lidhur im ate, Mehmet Shehu, qe te mund te kerkoja pastaj prej shteteve perkatese pension si familje deshmori. Prandaj dhe e prita me interes botimin e kujtimeve tuaja ne faqet e gazetes me te madhe te Shqiperise, mirepo mbeta i zhgenjyer, duke pare se ishin nje perifrazim i zgjeruar apo konspektim talmudik i nje kapitulli te nje libri te burrit tuaj, botuar ketu e njezeteca vjet me pare.